Elezi: Brenda tri dite janë shpërndarë me sukses 93% e pakove me fletëvotime për votimin me postë të diasporës
Vetëm brenda tri ditëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur të shpërndajë 93% të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që janë regjistruar të votojnë përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar të dhënat e fundit nga ky proces, i cili, sipas tij, është duke u kryer nga KQZ-ja, përmes operatorit ekonomik.
Sipas tij, nga dita martë në mëngjes kur ka filluar shpërndarja e tyre dhe deri enjten në mesnatë, janë shpërndarë 93% e pakove me fletëvotime.
“Gjatë tri ditëve, më 16, 17 dhe 18 dhjetor 2025, nga gjithsej 57,829 dërgesa, 93% e tyre apo 53,660, janë dorëzuar me sukses te votuesit. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 50,462 (94%) janë dorëzuar te votuesit në shtete në Evropë, ndërkaq, 3,198 dërgesa (77%) janë dorëzuar te votuesit në shtete jashtë Evropës”, thuhet në përgjigjen e tij.
Elezi ka treguar se këto statistika do të ishin edhe më të larta, nëse votuesit do të ndodheshin në shtëpitë e tyre në kohën kur u janë dërguar pakot me fletëvotime.
“Këto statistika do të ishin edhe më të larta dhe përqindja do të arrinte në 98.73% nëse do të dorëzoheshin me sukses edhe 3,437 pakot e tjera, por kjo s’ka ndodhur gjatë këtyre datave për shkak se votuesit nuk ndodheshin në shtëpi. Sipas kontratës, është detyrë e operatorit ekonomik që dorëzimin e zarfit ta kryejë tek adresa e votuesit dhe mund të pranohet vetëm nga votuesit ose familjarët, të cilët e nënshkruajnë pranimin e dërgesës. Po ashtu, sipas kushteve të kontratës, në adresë të një votuesi, do të shkohet deri në 3 herë për t’ia dorëzuar pakon me fletëvotim”, tha Elezi.
Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

