Elezi: Përfundon numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike, nis numërimi i atyre me postë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se pasditen e së shtunës, rreth orës 16:00, është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit në 40 vendvotime të përfaqësive diplomatike.
Më 27 dhjetor 2025, votimi u zhvillua në 29 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 19,187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16,165, apo 84.24%. Këto fletëvotime janë në proces numërimi.
Pas procesit të numërimit të këtyre fletëvotimeve, në platformën e KQZ-së për rezultate janë përditësuar të dhënat për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.
Këto informacione janë dhënë nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për EO, i cili ka treguar se pak pas orës 16:00, të ditës së shtunë, në QNR ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës, transmeton Klankosova.tv.
Ditë më parë, nga dy kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, Berlijn dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.
Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit.
Pra, në procesin e numërimit do të përfshihen 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime.
Në votimin me postë, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë dhe pas përfundimit të tërheqjes së fletëvotimeve nga të gjitha kutitë postare, do të dihet se sa prej votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës.
Sipas planifikimeve, tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026.
Gjithashtu, gjatë javës në vazhdim, në numërim do të përfshihen edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta.
Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht.
Numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.

