14:20 / E Shtunë, 20 Shkurt 2021 / Blerim

Elezi: Të hënën vendoset nëse do të ketë rinëmurim të votave në disa vendvotime

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesimi i të dhënave të formularëve të rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike, skanimi i listës përfundimtare të votuesve, si dhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës,

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të hënën do të vendos nëse do të ketë rinumërim të votave në disa vendvotime të ndryshme, pasi aktualisht është duke u bërë auditimi i disa votave, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka thënë pas marrjes së raportit KQZ-ja do ta shqyrtoj dhe më pas do të vendoset.

“Ka vendvotime që janë duke ju nënshtuar procesit të auditimit dhe deri të hënën më së largu do të kemi raportin, ku QNR-ja do të paraqes rekomandimet dhe më pas KQZ-ja vendos nëse do të ketë rinumërim në disa vendvotime”, tha Elezi.

Ai tha se nuk ka afat ligjor për publikimin e rezultateve përfundimtare.

“Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 2014 dhe 2017, kanë marrë pothuajse të njëjtën kohë për t’u përmbyllur. Nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim të rezultateve KQZ-së i janë dashur 27 ditë më 2014 dhe 28 ditë më 2017. Numri i vendvotimeve të rinumëruara ka qenë 21% – 22% e vendvotimeve. Ndërsa, zgjedhjet e vitit 2019, nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim janë përmbyllur brenda 53 ditëve. Më 2019 procesi ka zgjatur më shumë për shkak të numrit të madh të vendvotimeve të rinumëruara, rreth 90% e tyre apo 2,254 nga 2,547 vendvotime”, ka theksuar ai.

Ai theksoi se janë duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre.

“Deri më tani nga rreth 16,800 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar rreth 11,800 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzur rreth 4,950 zarfe me fletëvotime. Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme dhe tashmë i kemi bërë të ditura edhe dje. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide”, ka shtuar ai.