75 Mall Live Search
17:48 / E Hënë, 15 Shtator 2025 / F.R

Elia Zaharia tregon arsyen pse mban ende mbiemrin e Princ Lekës në Instagram

Aktorja e njohur Elia Zaharia ka hedhur dritë mbi një nga pyetjet që i bëhet shpesh në rrjetet sociale: përse në Instagram mban ende mbiemrin e ish-bashkëshortit të saj, Princ Lekës, ndonëse prej muajsh janë të ndarë.

Në një sqarim publik, Elia theksoi se kjo nuk lidhet aspak me vullnetin e saj, por me një problem teknik që nuk ka arritur të zgjidhet, pavarësisht përpjekjeve.

 “E mbaj akoma sepse nuk hiqet, nuk varet nga unë. Kam mbi dy vite që përpiqem, në më shumë se tri kompani shumë të njohura IT, ta ndryshoj dhe nuk funksionon. Nuk e di çfarë e bllokon. Është diçka teknike që edhe ekipet e Instagram dhe Facebook nuk po i japin drejtim. Nuk ka të bëjë fare me dëshirën apo vullnetin tim,” – u shpreh ajo.

Elia shtoi se është e vetëdijshme që kjo mund të krijojë bezdi tek disa njerëz, por ajo ka vazhduar të punojë dhe prezantohet gjithmonë me mbiemrin e saj, Zaharia.

Aktorja bëri edhe një tjetër sqarim për publikun, duke theksuar se mbiemrin Leka e mban edhe vajza e saj, Geraldina.

“Për ata që mund të ngrejnë pyetje, derisa të zgjidhet le ta mendojnë se është mbiemri i Geraldinës, i gocës. Duhet të jemi në promovim të punës, ndaj nuk kam hapur Instagram tjetër. Ka vështirësinë e vet, por nuk është e pamundur,” – shtoi Elia.

Elia Zaharia dhe Princ Leka u ndanë zyrtarisht në maj të këtij viti. Pas ndarjes, Leka ka nisur një romancë të re me fotografen Blerta Celibashi, gjë që ka marrë vëmendje të madhe mediatike.