Elon Musk padit Apple dhe OpenAI: Komplote për monopol në tregun e Inteligjencës Artificiale

Startup-i i inteligjencës artificiale i Elon Musk, ka paditur Apple dhe OpenAI, duke i akuzuar për praktika antikonkurruese dhe “një konspiracion për të monopolizuar tregun e smartfonëve dhe chatbot-ëve gjenerues”.
Padia është depozituar në një gjykatë në Teksas të hënën dhe synon të sfidojë partneritetin mes Apple dhe OpenAI, i cili vitin e kaluar solli integrimin e teknologjisë së ChatGPT në sistemet operative të Apple.
Sipas Musk, kjo marrëveshje ka “bllokuar tregjet” dhe i ka bërë të pamundur për kompani të tjera, si xAI me chatbot-in Grok, të konkurrojnë ndershmërisht.
“Të paditurit kanë hyrë në një marrëveshje të paligjshme dhe një konspiracion për të shfrytëzuar fuqinë monopol të Apple në tregun e smartfonëve për të ruajtur monopolin e OpenAI në chatbot-et gjenerues,” thuhet në ankesën ligjore.
Musk po kërkon edhe “shumë miliarda dollarë dëmshpërblim” nga dy gjigantët e teknologjisë.
Nga ana tjetër, OpenAI hodhi poshtë akuzat e miliarderit.
“Kjo padi është pjesë e një modeli të vazhdueshëm ngacmimesh nga z. Musk,” tha një zëdhënës i kompanisë.
Apple nuk ka dhënë ende një koment mbi çështjen.
Ky është vetëm kapitulli i fundit i konfliktit mes Elon Musk dhe CEO të OpenAI, Sam Altman. Dyshja ishin bashkëthemelues të OpenAI në vitin 2015, por rrugët u ndanë pas vitit 2018, kur Musk kërkoi të merrte kontrollin e kompanisë. Prej asaj kohe, ai ka ngritur disa padi, duke e akuzuar OpenAI për shndërrimin në një sipërmarrje me qëllim fitimi.
“Jemi të trishtuar që kjo marrëdhënie ka përfunduar në këtë mënyrë me dikë që e kishim admiruar thellësisht – dikë që na frymëzoi të synonim më lart, pastaj na tha se do të dështojmë, nisi një konkurrent dhe më pas na paditi kur nisëm të bënim progres të vërtetë, ” shkruante OpenAI vitin e kaluar, pas një tjetër padie nga Musk.
Aktualisht, OpenAI po synon një vlerësim prej 500 miliardë dollarësh, çka do ta bënte kompaninë private më të vlefshme në botë, duke lënë pas SpaceX të Musk, e cila vlerësohet në 350 miliardë dollarë.