12:33 / E Mërkurë, 22 Janar 2020 / indeksADMonline

Elvana i “hakmerret” Shqipërisë, përfaqëson një tjetër shtet në “Eurovision”?

Nëse provoni të kërkoni “Elvana” në Twitter, menjëherë pas emrit të këngëtares do t’ju dalë emri i qytet-shtët San Marino, në Itali.

Duket se papritur, dikush nga fanatikët e Eurovision-it, ka ngritur tezën se Elvana Gjata do të përfaqësojë San Marinon në maj, në Rotterdam.

Prisni t’ju shpjegojmë. San Marino është një mikroshtet në Itali me rreth 34.000 banorë, pra relativisht më pak se zona e Astirit në vendin tonë. Si për pasojë, edhe skena muzikore atje është në nivele micro, ndaj San Marinos i është dashur të huazonte këngëtarë nga vende të tjera të botës, për ta përfaqësuar, shkruan anabel.al.

Këtë vit, po diskutohej që vendi të përfaqësohej nga këngëtarja gjermano-amerikane, Aly Ryan, por krejt papritur në Twitter përhapet me shpejtësinë e erës një thashethem që thotë se Elvana Gjata është një tjetër pretendente për të përfaqësuar mikroshtetin!.

Ende nuk dihet zanafilla e këtij thashethemi, por me dhjetëra tweets-a nga fansa të Eurovisionit, nga e gjithë bota kanë nisur diskutimin. 

Madje, ka nga ata që po u shijon shumë skenari që “pas humbjes së padrejtë në Festivalin e Këngës së 58-të, Elvana po hakmerret duke konkurruar për një shtet tjetër”.

Që në prezantimin e saj në natën e parë të Festivalit të Këngës në RTSH, Elvana u prit mirë nga fansat e huaj, të cilët në komente përbri audios së këngës (tashmë e fshirë nga faqja zyrtare e RTSH-së në YouTube), shprehnin entuziazëm se ishte kënga e duhur për Eurovision.

Normalisht, rrëmuja e madhe dhe polemikat e krijuara në lidhje me vlerësimet nga ana e jurisë, bënë jehonë kudo tek fansat besnikë të Eurovizionit. Tani, ata kanë nisur të krijojnë skenare “alla- Shekspiriane” me dëshirën e mirë për të parë Elvanën në Eurovision apo për të thelluar edhe më dramaticitetin e ngjarjes.