Emërimi i Mrasorit nga Fitore Pacolli, reagon Fatos Qerimaj
Ministrja Fitore Pacolli ka emëruar sot Zymer Mrasorin, ushtrues detyre të drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore.
E pas kësaj ka reaguar Fatos Qerimaj, i cili deri tani mbante këtë pozitë, atë të drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore.
Qerimaj ka thënë se dje ka pranuar përmes emailit, një vendim për transferimin e tij në një pozitë tjetër. Vendim ky i cili sipas tij është në kundërshtim të plotë me ligjin për zyrtarët publikë, konkretisht me nenin 65, paragrafi 4, i cili përcakton qartë se transferimi i përhershëm i një zyrtari publik nuk mund të bëhet pa pëlqimin paraprak të tij.
Qerimaj po ashtu ka thënë se këto janë veprime të kunderligjshme dhe ndëryrje politike në shërbimin civil.
“Po ashtu, përmes një postimi publik në Facebook nga ministrja Fitore Pacolli, jam njoftuar për emërimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, ndonëse ndaj meje nuk është zhvilluar asnjë procedurë ligjore për përfundimin e mandatit apo lirimin nga detyra, sipas legjislacionit në fuqi. Fakti që emërimi i ushtruesit të detyrës është bërë publikisht edhe para përfundimit të çdo procedure ligjore dhe administrative ndaj meje, dëshmon qartë për ndërhyrje politike të kundërligjshme në shërbimin civil dhe në funksionimin e administratës publike”, ka thënë Qerimaj.
Ndërsa i ka bërë thirrje publike Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të fillojë menjëherë hetimet ndaj ministres dhe të gjithë personave të përfshirë në këtë proces, të cilin ai e quan të kundërligjshëm, me qëllim të mbrojtjes së ligjshmërisë, integritetit të shërbimit civil dhe parimeve të shtetit juridik.
Reagimi i plotë i Qerimajt:
MJAFT ËSHTË MJAFT
REAGIM PUBLIK NDAJ VEPRIMEVE TË KUNDËRLIGJSHME DHE NDËRHYRJEVE POLITIKE NË SHËRBIMIN CIVIL
Të nderuar qytetarë,
Dje kam pranuar përmes emailit një vendim për transferimin tim në një pozitë tjetër, vendim i cili është në kundërshtim të plotë me ligjin për zyrtarët publikë, konkretisht me nenin 65, paragrafi 4, i cili përcakton qartë se transferimi i përhershëm i një zyrtari publik nuk mund të bëhet pa pëlqimin paraprak të tij. Një pëlqim i tillë nga ana ime nuk është kërkuar dhe as nuk është dhënë në asnjë moment. Për rrjedhojë, ky vendim është i kundërligjshëm dhe juridikisht i pazbatueshëm.
Po ashtu, përmes një postimi publik në Facebook nga ministrja Fitore Pacolli, jam njoftuar për emërimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, ndonëse ndaj meje nuk është zhvilluar asnjë procedurë ligjore për përfundimin e mandatit apo lirimin nga detyra, sipas legjislacionit në fuqi.
Fakti që emërimi i ushtruesit të detyrës është bërë publikisht edhe para përfundimit të çdo procedure ligjore dhe administrative ndaj meje, dëshmon qartë për ndërhyrje politike të kundërligjshme në shërbimin civil dhe në funksionimin e administratës publike.
Kam mbi 22 vjet karrierë në shërbimin civil të Republikës së Kosovës, që nga viti 2005, duke i shërbyer shtetit me profesionalizëm, integritet dhe pa asnjë njollë në detyrë.
Vij nga fshati heroik i Gllogjanit, nga një familje që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës. Familja ime ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dy heronj të kombit Arben dhe Luan Qerimaj si dhe me invalidët e luftës Naim dhe Mehmet Qerimaj. Për këtë arsye, nuk mund të hesht përballë padrejtësive, presioneve politike dhe shkeljeve të ligjit.
Konsideroj se këto veprime përbëjnë shkelje serioze të parimeve kushtetuese të ligjshmërisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit në administratën shtetërore, si dhe ngrejnë dyshime të bazuara për konsumim të elementeve të veprës penale lidhur me ushtrimin e ndikimit të kundërligjshëm dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare.
Për këtë arsye, i bëj thirrje publike Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të fillojë menjëherë hetimet ndaj ministres dhe të gjithë personave të përfshirë në këtë proces të kundërligjshëm, me qëllim të mbrojtjes së ligjshmërisë, integritetit të shërbimit civil dhe parimeve të shtetit juridik.
Askush nuk është mbi ligjin.
Me respekt,
Mr.sc. Fatos Qerimi
Drejtor i Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore

