Emërimi i Përfaqësuesit të ri Special për Kosovën, në mandatin e tij edhe mbështetja dialogut Kosovë- Serbi
Këshilli Europian emëroi Dirk Schubel Përfaqësues të ri Special të Bashkimit Europian për Kosovën.
Mandati i tij “përqendrohet në promovimin e një Kosove stabile, demokratike dhe multietnike, duke mbështetur perspektivën e saj evropiane përmes komunikimit publik dhe aktiviteteve të synuara informuese”, tha KE.
Përgjegjësitë kryesore të Përfaqësuesit të ri Speciale përfshijnë “monitorimin e përparimit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, kontributin në konsolidimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së pakicave, si dhe promovimin e koordinimit të përgjithshëm politik të BE-së për të siguruar një prani koherente dhe të dukshme”, tha KE.
Mandati i tij, siç u tha në njoftimin e Këshillit, përfshin edhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Për më tepër, mandati përfshin ofrimin e udhëzimeve politike lokale për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX Kosovë) dhe mbështetjen e Dialogut Beograd-Prishtinë për të nxitur stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, thuhet në njoftim.
Dirk Schubel është shtetas gjerman dhe diplomat i lartë europian me përvojë të gjerë në një sërë pozicionesh drejtuese brenda Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionit Europian, si dhe ka punuar edhe në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Aktualisht shërben si shef i Divizionit për Rusinë në EEAS.

