Emërohet një tjetër ushtrues detyre i ri në KEK
Pas shkarkimit të Ramadan Ahmetit nga pozita e drejtorit të termocentralit “Kosova B”, ka lëvizje të reja në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Klan Kosova referuar burimeve brenda KEK-ut shkruan se sot është emëruar një tjetër ushtrues detyre në këtë institucion, Jonuz Saraqi.
U.D. i drejtorit Ekzekutiv të KEK-ut, Gramos Hashani, e ka caktuar Saraqin si ushtrues detyre të drejtorit të termocentralit “Kosova B”.
Kush është Jonuz Saraqi?
Saraqi ka shërbyer më herët si drejtor i Termocentralit “Kosova A”.
Në vitin 2024, ai ishte shkarkuar nga ish-drejtori i KEK-ut, Bekir Gerguri, për shkak të vlerësimit të dobët të performancës.
Pavarësisht kësaj, këtë vit, Hashani e ka rikthyer atë në pozitë të lartë duke e emëruar drejtor teknik në TCB, ndërsa sot ka vendosur që ai të marrë edhe drejtimin ekzekutiv të këtij termocentrali.
Kujtojmë se paraardhësi i Saraqit, Ramadan Ahmeti, u shkarkua të premten nga pozita.
Derisa në Kosovë gjendja në sektorin e energjisë vazhdon të jetë kaotike, Hashani po përshpejton vendimet për emërime dhe shkarkime brenda KEK-ut.
Së fundmi, vëllai i ish-deputetit Bylbyl Sokoli është emëruar u.d. i drejtorit operativ të termocentraleve dhe minierës.
Ajo që ka ngjallur më shumë reagime është fakti se Sokoli është kimist me profesion, gjë që e bën të pazakontë caktimin e tij në një pozitë kaq të ndjeshme dhe teknike në operimin e termocentraleve dhe minierave.

