14:19 / E Premte, 18 Maj 2018 / k.v

Emocionuese: Ja çka thotë baba i heroit kombëtar Jetë Hasani, për shokët e të birit

Aziz Hasani është babai i Heroit të Kombit, Jetë Hasani, komandantit të njësive të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shtime dhe arsimdashës i madh i vendit tonë.

Pak muaj pas përfundimit të luftës së UÇK-së, teksa fliste me mall për të birin i cili ra në krye të detyrës, i pyetur nga mediat se si e vlerëson gjendjen e pasluftës dhe çfarë ndien kur i takon shokët e tij me uniformat e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), axha Aziz, me shumë emocione dhe me lot në sy shprehet “shokët e Jetës kur i shoh në uniform, më dukët qe e qova Jetën e u ula e po boj llaf me ta…Zemra jem qashtu është”, ishte shprehur Aziz Hasani.

Ndryshe Jetë Hasani ishte Komandanti i njësive të para të UÇK-së në Komunën e Shtime. Ai emrin e trashëgoi nga gjyshi i tij, i cili po ashtu ishte vrarë për kauzën kombëtare në luftën e NDSH.

Në momentet më kritike, kur nxënësit e shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Shtime u larguan nga godina shkollore, Jetë Hasani me vet iniciativën e tij bleu truallin dhe në të ndërtoi me vetfinancim dy shtëpi për t’i bërë shkolla. Më 3 shtator 1995, nisi mësimi në ato shkolla dhe për gjashtë vite me radhë nxënësit e asaj zone mësuan në ato shkolla.

Duke qenë në shërbim të vendit, Jeta vendosi që në janar të vitit 1989 të anëtarësohet në Organizatën ilegale “Komiteti Kombëtar Shqiptar për Bashkimin e Trojeve”, Komitet ky që vepronte në ilegalitet të thellë që drejtohej nga Ruzhdi Saramati.

Më 28 nëntor të vitit 1989 u formua njësiti i parë gueril në Komunën e Shtimes me komandantin Jetë Hasani “Zjarri-014”. Po në atë koha Jetë Hasani mbante kontakte të vazhdueshme me komandantin legjendar Adem Jashari.