Emrat e kandidatëve për kryetar komunash nga PDK dihen pas përfundimit të zgjedhjeve në parti
Janë duke u zhvilluar zgjedhjet brenda Partisë Demokratike të Kosovës. Partia kjo e cila ka 1 mijë e 200 nëndegë dhe 39 degë në të gjithë vendin.
E sipas Kryetarit të Komisionit Zgjedhor të PDK-së, Betim Gjoshi deri më tani procesi është mbajtur në mbi 800 nëndegë dhe në mbi 15 degë.
Deri në fund të muajit prill parashihet që të përfundojë procesi deri në nivel të degëve e pastaj të përgatitet Konventa e Partisë.
“Edhe këtë vikend kemi zgjedhjen e tre kryetarëve të degëve. Procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë ku mijëra qytetarë të profesioneve të ndryshme i janë bashkuar PDK-së për ta jetësuar Dekadën e Re – platformë e ideuar nga kryetari Kadri Veseli”, ka thënë Gjoshi për Indeksonline.
Por i njëjti nuk ka treguar nëse tashmë janë bërë të ditur të gjithë emrat e atyre që do të kandidojnë për kryetar komunash nga radhët e PDK-së.
“Ne për momentin jemi duke zgjedhur drejtuesit e partisë në degë, të cilët mund të jenë edhe kandidatë për kryetar, por mund të jenë edhe kandidatë tjerë. Procesi i vendosjes së kandidaturave për kryetar është i paraparë me Statutin e PDK-së dhe kalon paraprakisht në një fazë analize e mandej miratimi nga organet kompetente”, tha Gjoshi.
Ai tutje shtoi se pasi edhe dy vite e gjysmë nuk ka zgjedhje lokale, kandidaturat për zgjedhjet lokale do të bëhen pas përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor.
“Ndërsa kandidaturat për degë janë të hapura dhe në shumicën e degëve kemi një garë me 2 e më shumë kandidatë. I gjithë procesi në nivel degësh përfundon në fund të prillit. Është procesi më demokratik që ka organizuar ndonjëherë ndonjë parti në Kosovë. Ka monitorim dhe transparencë çdo kuvend zgjedhor”, përfundoi Gjoshi.
Duhet shtuar se sot PDK zgjodhi edhe kryetarin e ri në Lipjan, e që është Hyzer Rizani./Indeksonline/