75 Mall Live Search
12:58 / E Martë, 10 Shkurt 2026 / H F

Emri i tij përmendet 43 herë, kush është shqiptari i përfshirë në dosjen e Jeffrey Epsteinit?

Një shtetas shqiptar në New York, me inicialet V. Berisha, i njohur si “Vinny Berisha”, rezulton i përmendur në 43 dokumente të publikuara së fundmi në dosjen që lidhet me financierin e dënuar Jeffrey Epstein.

Sipas materialeve të publikuara, emri i tij shfaqet në letra dhe email-e të shkëmbyera gjatë periudhës 3 tetor 2018 – 15 shkurt 2019, ku diskutohet për punime ndërtimore në rezidencën luksoze të Epsteinit në Manhattan. Në komunikime përmenden rinovimi i një dhome masazhi, ndërtimi i një sauna-je dhe punime të tjera brenda pronës.

Në email-e, Berisha prezantohet si pronar i një kompanie ndërtimi dhe negocion oferta financiare për projektin.

Në disa prej komunikimeve përfshihen edhe emra të tjerë të lidhur me rrethin e Epsteinit, ndërsa asistentja e tij, Lesley Groff, rezulton t’i ketë caktuar një takim, më 1 shkurt 2019 në rezidencën private në Manhattan.

Nga dokumentet nuk ka konfirmim nëse takimi është zhvilluar apo nëse punimet janë realizuar. Po ashtu, nuk ka prova që e lidhin Berishën me aktivitetet kriminale të Epsteinit, por vetëm komunikime me karakter profesional për çështje ndërtimi.

Fakti që emri i tij përmendet në dhjetëra dokumente ka ngritur interes dhe pikëpyetje, pasi kontaktet rezultojnë të kenë ndodhur vetëm pak muaj para arrestimit dhe vdekjes së Epsteinit në vitin 2019.