“Ende një shans për bisedime paqeje me SHBA”, Irani: Po bëhen përpjekje të fshehta për…

Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se ende ka një shans për bisedime paqeje me Shtetet e Bashkuara.
Një zyrtar i lartë iranian në një intervistë për Sky Neës tha se pavarësisht sulmeve ndaj vendit të tij nga Amerika dhe Izraeli, po bëhen përpjekje të fshehta për të rinisur kërkimin për një zgjidhje diplomatike.
Pas armëpushimit të shpallur nga Donald Trump, zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, tha se SHBA-të duhet të tregojnë se janë të sinqerta në dëshirën e tyre për paqe.
“Diplomacia nuk duhet të abuzohet ose të përdoret si mjet për mashtrim ose thjesht për një lloj lufte psikologjike kundër kundërshtarëve të tyre”, tha zyrtari iranian.
Irani ndjeu se diplomacia ishte tradhtuar, shtoi ai. Bisedimet SHBA-Iran ishin në prag të rifillimit kur Izraeli sulmoi vendin e tij.
Presidenti Trump thotë se është gati të flasë me Iranin, por duhen kapërcyer pengesa të mëdha.
SHBA-të duan që Irani të heqë dorë plotësisht nga pasurimi bërthamor. Nga ana tjetër Irani ka këmbëngulur prej kohësh se ka të drejtë të vazhdojë.