22:16 / E Shtunë, 12 Janar 2019 / indeksADMonline

Ende s’dihet kur përfundojnë zgjedhjet në PDK

Në tetor të vitit të kaluar, Partia Demokratike e Kosovës ka shpallur zgjedhjet e brendshme partiake në të gjitha degët, nëndegët dhe seksionet, derisa kryetari, Kadri Veseli e bëri hapjen e konventave zgjedhore në të gjitha komunat e Kosovës.

Ai para simpatizantëve kishte përsëritur se në fund të procesit zgjedhor PDK-ja do të rikonfirmohet si partia më fuqishme, më e organizuar dhe e shtrirë në të gjitha lagjet, fshatrat dhe qytetet e Kosovës, shkruan Indeksonline.

Se kur do të përfundojnë këto zgjedhje, kishte paralajmëruar një afat për Indeksonline, deputetja e PDK-së, Flora Brovina, sipas së cilës procesi do të përfundonte në fund të muajit dhjetor, por që një gjë e tillë nuk ndodhi.

“Pas zgjedhjeve të rinisë, janë zgjedhjet në degë dhe nëndegë, dhe kjo është një procedurë normale e po presim vetëm të kryhet, deri më tani nuk ka asgjë të veçantë. Procesi pritet të përfundoj deri në fund të dhjetorit, por nuk kemi ndonjë datë strikte”, kishte thënë ajo javë më parë.

Indeksonline ka kontaktuar me sekretarin e përgjithshëm të PDK-së, Basri Musmurati, i cili ka thënë se kjo parti nuk ka përmendur ndonjë afat se kur do të përfundoj tërë procesi zgjedhor.

Sipas tij, ndonëse në disa degë është kryer shumica e punëve, ka të tjera që ende janë duke u marr me zgjedhjet e brendshme.

“Ne nuk kemi precizu asnjëherë se do të kryhen vitin e kaluar, por kemi precizu që do t’i organizojmë sa më mirë që është e mundur, mos me përkufizu kohë, në mënyrë që të gjithë ata që janë të interesuar të garojnë dhe të kenë kohë të përgatiten. Një pjesë e tyre është kryer është e vërteta, e jemi duke vazhduar me pjesën tjetër të punës”, ka thënë Musmurati.

Ai ka theksuar se PDK përafërsisht ka paraparë një afat kohor, por që tani po shikojnë si po zhvillohet fushata në teren meqë ka gjithmonë kërkesa dhe nevoja të reja.

“Në këtë drejtim, ne i kemi respektuar të gjitha këto dhe degët janë të pavarura për të organizuar zgjedhje, dhe aty ku ka më shumë të interesuar, zakonisht zgjedhjet zgjasin më shumë”, ka përfunduar Musmurati.

Se PDK-së nuk po i ngutet për zgjedhjet e brendshme mendon analisti politik, Imer Mushkolaj. Sipas tij, viti që lamë pas nuk ishte i duhuri për zgjedhje.

“PDK-së nuk i është ngutur për zgjedhjet e brendshme, pasi që viti 2018 nuk ishte vit zgjedhor as në nivel lokal, as atë qendror. Kadri Veseli po synon që përgjegjësi në parti t’iu jep njerëzve të tij, ndërkohë që ndikimi i Hashim Thaçit në PDK vazhdon të jetë i madh”, ka thënë Mushkolaj.

Duke komentuar kandidaturën e vetëm një personi për të marr timonin e PDK-së, Mushkolaj theksoi se Kadri Veseli do të jetë prapë edhe për një mandat kryetar i PDK-së.

“Veseli do të zgjedhet kryetar i partisë dhe të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhje. Sa për sy e faqe, ose sa për të përmbushur formalisht ‘rregullin demokratik, për kreun e partisë mund të kandidojë edhe ndonjë tjetër, por Veseli do të zgjedhet kryetar”, ka thënë tutje Mushkolaj. /Indeksonline/