16:55 / E Premte, 27 Shtator 2019 / indeksADMonline

Endrit Shala: Çdo qytet i Kosovës do të ketë Zonë Ekonomike

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i shoqëruar së bashku me Fatmir Limajn, kanë përuruar projektin gjigant për Zonën Ekonomike në Rajonin e Suharekës.

Kjo Zonë Ekonomike ka qenë e harruar për më shumë se 10 vite nga dora e shtetit, teksa para dy viteve Limaj së bashku me Shalën, kishin premtuar realizimin e këtij projekti që kap shifrën e 2.6 milionë eurove dhe që është financuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Kandidati për deputet nga radhët e Nismës, Endrit Shala, u zotua se çdo qytet i Kosovës do të ketë Zonë Ekonomike, teksa i ka ftuar qytetarët që të bashkohen për shtetin në programin e Nismës Socialdemokrate.

“Kurrë më bizneset kosovare nuk do të kenë probleme e as barriera në infrastrukturën e tyre. Në qeverinë e Nismës Socialdemokrate, ashtu siç edhe zotohemi me programin tonë politikë, do të krijojmë Zona Ekonomike në çdo qytet, duke u ofruar kështu bizneseve kushtet e merituara për punë. Lehtësirat dhe mbështetja për biznese kanë qenë zotime që unë si ministër e ne si Nismë Socialdemokrate i kemi shtyrë përpara, ngase besojmë fuqishëm që duke u dhënë atyre mbështetjen e duhur ne fuqizojmë ekonominë dhe shtetin tonë. Sot, bashkë me kryetarin Fatmir Limaj përuruam kompletimin e infrastrukturës në Zonën Ekonomike në Suharekë, e cila për 10 vjet ka qenë e harruar nga dora e shtetit. Premtimi i para dy viteve i kryetarit Limaj tashmë është realizuar. Kjo zonë ekonomike nga sot është funksionale me të gjithë infrastrukturën përcjellëse që ta kenë më të lehtë bizneset të operojnë. 160 hektarë janë në dispozicion për 70 bizneset e Suharekës e janë investuar 2.6 milionë euro nga Ministria e Tregtisë e Industrisë. E.SH”.

E për këtë projekt, kandidati për kryeministër, Fatmir Limaj e ka përgëzuar Endrit Shalën, për një punë të shkëlqyer duke thënë se me shumë kënaqësi po merr pjesë në përfundimin e një projekti që e ka premtuar.

“Ky është shembulli më i mirë se si ndihmohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kjo është politika jonë që ne vijmë e shtrimë dorën e shtetit, i kryejmë detyrat tona para njerëzve të cilët kanë iniciativën private si parakusht për të hapur vende të reja të punës. Ky është ai veprimi në vepër për të cilin ka nevojë Kosova dhe ne nuk do ndalemi. Do shkojmë çdo qytet në Kosovë për të ndërtuar parqe të tilla që bizneset të mos kenë më nevojë të shpenzojnë paratë e veta për përmirësimin e infrastrukturës të cilat mund ti kryej shteti dhe ata të fokusohen direkt në rritjen e prodhimit dhe fuqizimit të bizneseve të tyre”, ka thënë Limaj.