09:38 / E Diele, 19 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Engel: Do i gëzohem ditës kur Kosova do hyjë në BE dhe NATO

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka vizituar qendrën e thirrjeve të Demokracisë në Veprim në këtë ditë kur po zhvillohen zgjedhjet e balotazhit.

Me këtë rast ai është deklaruar për  media duke thënë se ndihet shumë i lumtur që po ka mundësinë të shoh për së afërmi zgjedhjet në  Kosovë, si shtet i pavarur.

Ai shtoi se është përpjekur edhe më parë të organizoi zgjedhjet në Kosovë, mirëpo një gjë të tillë nuk e kanë lejuar autoritetet serbe.

“Jam i lumtur që jam në Kosovë. Jemi përpjekur të organizojmë në vitin 1996 zgjedhjet, por autoritet serbe nuk më kanë lënë të hyjmë në Kosovë. Por, sot jemi në një Kosovë të lirë dhe demokratike dhe jam i lumtur që jam këtu. Posaçërisht jam i lumtur për partneritetin special që ka Kosova me SHBA-në. SHBA do të jetë gjithmonë këtu dhe unë personalisht do ta bëj të njëjtën gjë. Është emocionuese të zhvillohen zgjedhjet në mënyrë të pavarur dhe demokratike, nuk e kemi këtë luks në çdo shtet. Disa shtet që nuk e përkrahin Kosovën nuk e kanë lirinë që njerëzit e Kosovës e kanë. Unë do i gëzohem ditës kur Kosova do të jetë anëtare në Bashkimin Evropian dhe anëtare e NATO-s”, ka thënë Engel.