Enrique: Shkojmë në shtëpi duke e ditur se kemi qenë më të mirët

Spanja u eliminua nga Euro 2020 pasi në gjysmëfinale u mposht nga Italia pas ekzekutimit të penalltive.
Trajneri spanjoll, Luis Enrique është shprehur i zhgënjyer për rezultatin që morën.
“Nuk është një mbrëmje e trishtuar, ne jemi të zhgënjyer, por në futboll duhet të dish si të fitosh, por dhe si të humbësh. Ne nuk mund të jemi të dëshpëruar, por duhet t’i përgëzojmë kundërshtarët tanë”, ka thënë Enrique.
“Unë thashë që nga fillimi, se mund të synonim për fitoren përfundimtare, por ne shkojmë në shtëpi duke e ditur se kemi qenë ndër më të mirët,”- shtoi ai.
“Një notë për lojtarët dhe për veten time? Unë do t’i jepja një 8.5. Ne folëm shumë se si dëshironim të luanim, ne kemi treguar se jemi një ekip dhe do të vazhdojmë kështu. Tani është e rëndësishme për të rimarrë forcët”, tha Luis Enrique.
“Morata? Ai ka një problem me aduktorin e tij dhe kjo tregon personalitetin e tij. Pavarësisht dëmtimit, ai donte të merrte përsipër penalltinë. Pavarësisht nga vështirësitë që kishte në këtë turne, ai ishte një lojtar fantastik, sonte ai krijoi kaq shumë vështirësi për mbrojtjen italiane,” shpjegoi ai.
“Ju kurrë nuk e dini se çfarë do të ndodhë, nuk mund të them se ky do të jetë grupi i Kupës së Botës, por unë do të doja të kisha një grup të bashkuar me potencial si ky”, tha ndër të tjerash trajneri i Spanjës. /IndeksOnline/