10:42 / E Hënë, 08 Shkurt 2021 / OSH

EPIK: Kosova humb 7.5 milionë euro të fondeve të BE-së

Kosova ka humbur 7.5 milionë euro të fondeve të BE-së, si rezultat i moszbatimit të indikatorëve që lidhen me reformat në administratën publike.

Sipas një komunikatë të Institutit EPIK në vitin 2018 Kosova ka përmbushur dymbëdhjetë indikatorë, në vitin 2019 njëmbëdhjetë indikatorë dhe në vitin 2020 dhjetë sish.

Në dhjetor 2017, Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Marrëveshjen e Financimit për Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2016 – Pjesa II – Mbështetja Sektoriale Buxhetore.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka marrë për obligim që të zbatojë reformat në fushën e administratës publike, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) dhe Agjendën Evropiane të Reformave (ERA), drejt krijimit të një administrate publike të pavarur, profesionale dhe në shërbim të qytetarit.

Institucioni përgjegjës për koordinimin e zbatimit të marrëveshjes është Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Sipas marrëveshjes, institucionet e Kosovës u zotuan se gjatë 2018-2020 do të zbatojnë 8 reforma në fushën e administratës publike, të cilat do të vlerësohen me 33 indikatorë.

Ndërsa, nga ana tjetër Bashkimi Evropian u zotua se zbatimin e reformave të dakorduara do të shpërblejë me 22 milionë euro të mbështetjes direkte buxhetore, përmes katër transheve financiare në vlerë prej 5.5 milionë eurosh secila.

Thënë ndryshe, institucionet e Kosovës përmes zbatimit të këtyre reformave do të fitonin një injektim financiar në vlerë prej 22 milionë eujrosh të cilin do të mund të orientonin për përkrahjen financiare të bizneseve, ofrimin e bursave për studentet, ndërtimin e shkollave, spitaleve apo çfarëdo shërbimi tjetër publik në të mirën e qytetarëve.

Në vitin 2018 Kosova ka pasur të përmbushura dymbëdhjetë indikatorë, në vitin 2019 njëmbëdhjetë indikatorë dhe në vitin 2020 dhjetë sish. Gjatë gjithë kësaj kohe, institucionet e Kosovës është dashur po ashtu të siguronin në vazhdimësi përmbushjen e katër parakushteve. Në këtë kontekst, transhi i parë prej 5.5 milionë eurosh nuk ka qenë i kushtëzuar me indikatorë dhe rrjedhimisht është zbatuar në tërësi.

Transhi i dytë është zbatuar në vlerë prej 3.11 milionë eurosh pasi që institucionet e Kosovës kishin përmbushur 7 nga 12 indikatorë variabil. Transhi i tretë është zbatuar në vlerë prej vetëm 0.42 milionë eurosh pasi që institucionet e Kosovës kishin përmbushur vetëm 1 nga 11 indikatorë variabil.

Transhi i katërt është shtyrë për vitin 2021 për shkak të efekteve të pandemisë. Pra sipas marrëveshjes deri sot, institucionet e Kosovës është dashur të zbatonin 23 reforma specifike dhe të fitonin 16.5 milionë euro përkrahje drejtpërdrejt buxhetore nga fondet e BE-së.

Në vend të kësaj, institucionet kanë zbatuar vetëm 8 reforma specifike dhe kanë fituar 9.03 milionë euro, duke humbur kështu 7.47 milionë nga fondet e BE-së.