Epoka Arbeloa, Reali rikthen në staf mjekun e skuadrës
Real Madridi nuk ka humbur kohë për të ecur përpara pas largimit të Xabi Alonsos, me ndryshimin e parë që po vjen në epokën e Álvaro Arbeloas.
“Los Blancos” prej kohësh janë përballur me probleme serioze të gjendjes fizike të lojtarëve, dhe lëvizja e parë nën drejtimin e Arbeloas lidhet pikërisht me këtë çështje.

Një nga shqetësimet e vazhdueshme në klub ishte numri i lëndimeve gjatë periudhës së Alonsos, i cili shpesh i ka pasur planet e prishura nga problemet fizike. Dean Huijsen, Dani Carvajal, Trent Alexander-Arnold dhe Éder Militão kanë munguar në shumë ndeshje për shkak të dëmtimeve, ndërsa Alonso e ka përmendur këtë si një nga arsyet kryesore që e penguan ekipin të realizonte atë që synonte në fushë.
Sipas Diario AS, Real Madridi do të rikthejë ish-përgatitësin atletik Antonio Pintus për të marrë nën kontroll përgatitjen fizike të ekipit të parë.
Trajneri italian, shumë i vlerësuar nga Florentino Pérez, u rikthye për një mandat të dytë në vitin 2021 për të punuar me Carlo Ancelottin, por këtë verë u zhvendos në një rol më pak aktiv si “Shef i Performancës”.
Alonso kishte këmbëngulur të sillte përgatitësit e tij fizikë, Alberto Encinas dhe Ismael Camenforte, të cilët erdhën bashkë me të nga Bayer Leverkusen, por kjo nuk ka dhënë efektin e dëshiruar.

