11:17 / E Shtunë, 19 Shtator 2020 / indeksADMonline

ERA SHTET, fundi i kazinove ilegale në Karaçevë

Vendi ku po zhvilloheshin veprimtari ilegale në Karaçevë të Kamenicës, tashmë është rrënuar i tëri. Indeksonline ka raportuar ekskluzivisht për këtë aksion, ndërsa tani iu sjell pamje nga aty, të cilat janë bërë pak më parë, ku shihen objektet e rrafshuara.

Mbrëmë Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe agjencitë tjera bashkëpunuese kanë ekzekutuar urdhërkontrolle në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, shkruan Indeksonline.

Operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale.

Sipas komunikatës së fundit të Prokurorisë, janë arrestuar gjithsej 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë.

Ky operacion, i cili është operacioni më i madh i llojit të tij në Republikën e Kosovës, është një shembull i bashkëpunimit ndërmjet prokurorisë, policisë dhe inspektoratit policor.

Për këtë aksion ka reaguar edhe kryeministri, Avdullah Hoti i cili tha se ky aksion është dëshmi se institucionet e sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“U jam mirënjohës të gjithë atyre që me përkushtim e profesionalizëm planifikuan dhe zbatuan një operacion kompleks e delikat. Ky është vetëm fillimi i kthimit të NORMALITETIT në çdo fushë”, ka shkruar Hoti./Indeksonline/