11:04 / E Martë, 20 Shtator 2022 / B O

Erdogan: BE-ja na ka mbajtur në pritje për 52 vjet dhe pastaj pyesin pse po takohemi me vende të tjera

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, në një intervistë për PBS, i është referuar luftës në Ukrainë, por edhe takimit të mbajtur së fundmi të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ku mori pjesë edhe Turqia.

I pyetur nëse, duke marrë parasysh kundër-ofensivën e ukrainasve, ky vend aktualisht ka avantazh në luftë, presidenti turk u përgjigj se nuk mund të mbajë anë në këtë luftë.

“Si lider, nuk jam i lumtur të komentojë këtë çështje. Gjithçka që duam është t’i japim fund kësaj lufte. Njerëzit po vdesin dhe në fund të fundit, askush nuk do të fitojë. U takova me Presidentin Putin në Uzbekistan dhe ne patëm bisedime shumë të gjera. Në fakt, ai më dëshmoi se është i gatshëm ta përfundojë këtë luftë sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo ishte përshtypja ime. Mendoj se do të bëjmë një hap të rëndësishëm përpara”, tha Erdogan.

Pas kësaj, Erdogan iu drejtua pyetjes nëse është në interesin e popullit rus të vrasë qindra civilë në Ukrainë.

“Jo vetëm ukrainasit po vdesin, por ka viktima edhe nga pala ruse. Fakti është se ata e pushtuan, por para shpërthimit të këtij konflikti ndodhën shumë gjëra. OKB-ja duhet të arrijë në përfundime sa më shpejt të jetë e mundur, pas kësaj ne do të jemi në gjendje të paraqesim qëndrimin tonë”, theksoi ai.

Gjatë bisedës, Erdogan foli edhe nëse Suedia dhe Finlanda do të lejohen të anëtarësohen në NATO dhe nëse këto vende synojnë të përmbushin kërkesat turke.

“Suedia ishte djepi i terrorizmit dhe terroristët janë infiltruar atje deri në parlament. Në Stokholm, ne shohim se ata vazhdimisht protestojnë. Finlanda, nga ana tjetër, nuk është si Suedia. Ata janë më të qetë dhe kanë kontroll mbi zhvillimin e ngjarjeve”, tha presidenti turk.

Në fund, Erdogan komentoi edhe vizitën e delegacionit turk në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, e cila shkaktoi kritika të mëdha nga Brukseli.

“Bashkimi Evropian na mban prapa për 52 vjet, ata nuk na lejojnë të afrohemi dhe më pas pyesin veten pse po takohemi me njërin apo tjetrin”, përfundoi Erdogan.