75 Mall Live Search
21:45 / E Diele, 31 Tetor 2021 / AR

Erdogan: Biden tregoi “qëndrim pozitiv” në lidhje me avionët F-16

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdoğan, në një konferencë për media në samitin G20 të mbajtur në Romë, ka deklaruar se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka treguar një “qëndrim pozitiv” për shitjen e avionëve luftarakë F-16

“Çështja e modernizimit të avionëve F-16 që kemi ose dhënies së avionëve të ri F-16 ishte në krye (gjatë takimit me Biden). Ministrat tanë të mbrojtjes po ndjekin procesin”, u tha Erdoğan gazetarëve.

Më herët gjatë ditës, presidenti turk dhe ai amerikan zhvilluan një takim me dyer të mbyllura, i cili zgjati mbi një orë.

I pyetur në lidhje me takimin me Biden, Erdoğan tha se ai ka përcjellë “keqardhjen” e Turqisë për mbështetjen që “grupet terroriste si PKK, PYD dhe YPG po marrin, veçanërisht nga SHBA”.

Një mbështetje e tillë për grupet terroriste “dëmton” solidaritetin midis dy vendeve, tha presidenti Erdoğan, duke shtuar se ai beson se mbështetja e armëve e SHBA-së për grupet terroriste në Siri nuk do të vazhdojë në të ardhmen.

Erdoğan po ashtu komentoi ndikimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në ekonominë globale, raporton Anadolu Agency (AA).

“Megjithëse ekonomia globale ka filluar të rimëkëmbet në vitin 2021, ekonomitë tona ende përballen me sfida serioze. Institucionet që kontrollojnë sistemin financiar global nuk duhet të bëhen mjet manipulimesh politike, të cilat nuk kanë asnjë justifikim të arsyeshëm ekonomik”, tha Erdoğan.

Për ndryshimet klimatike, presidenti turk kritikoi disa vende pa përmendur emra.

“Shuma që vendet më ndotëse të botës shpenzojnë për të luftuar migracionin e parregullt është rreth dy herë më shumë se shuma që ata ndajnë për të luftuar ndryshimet klimatike. Kjo fotografi e shtrembëruar para nesh është vërtet e turpshme”, tha ai.

I pyetur në lidhje me propozimin e Bashkimit Evropian (BE) për të formuar një forcë kolektive të armatosur, Erdoğan tha se “nuk është e mundur”.