75 Mall Live Search
13:34 / E Mërkurë, 03 Shkurt 2021 / Blerim

Erdogan: Dyert janë të hapura për partitë politike për Kushtetutën e re në Turqi

Dyert janë të hapura për të gjitha partitë politike për të kontribuar në reformën kushtetuese, tha presidenti Rexhep Tajip Erdogan, gjatë ditës sotme, ndërsa përshëndeti mbështetjen e kryetarit të Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) Devlet Bahçeli për nismën.

“Dyert dhe zemrat tona janë të hapura për të gjithë ata që do të qëndrojnë pranë nesh në luftën tonë për ta kthyer mundësinë në fitore”, u tha Erdoğani mbështetësve gjatë kongresit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në provincën Artvin përmes lidhjes video nga selia e partisë në kryeqyteti Ankara.

Presidenti vazhdoi duke thënë se partia në pushtet do të dëshironte që të gjithë ata që duan të kontribuojnë në proces, në vend që ta sabotojnë atë, të marrin një rol aktiv në procesin e rishikimit, shkruan DailySabah, transmeton Indeksonline.

Erdogani argumentoi se puna për një Kushtetutë civile në zëvendësimin e asaj ekzistuese do të zgjeronte horizontet e Turqisë dhe do të kontribuonte në arritjet ekzistuese të vendit.

Presidenti vuri në dukje se ai i mirëpriti vërejtjet dhe kornizën pozitive të Bahçelit në lidhje me reformat.

Kryetari i MHP-së , Devlet Bahçeli tha në një deklaratë me shkrim se Turqia është “e detyruar” të zëvendësojë Kushtetutën e saj aktuale.

Kjo erdhi një ditë pasi ai tha se ishte koha që vendi të diskutonte çështjen, duke u zotuar se AK Partia do të bënte presion për një Kushtetutë të re nëse arrinte një konsensus me MHP-në.

Duke ripohuar angazhimin e partisë së tij për aleancën e saj me AK Partinë, Bahçeli nënvizoi në deklaratën e tij se Kushtetuta e vendit në formën e saj aktuale ishte “produkt i kushteve të jashtëzakonshme”.

Kushtetuta aktuale e Turqisë u hartua pas grushtit të shtetit të 12 shtatorit 1980 dhe ajo ende përmban elemente të ndikimit puçist pavarësisht një numri ndryshimesh që janë bërë për ta nënshtruar atë.

AK Partia dëshiron që Turqia të ketë një Kushtetutë të hartuar nga civilët deri në 2023, që përkon me njëqindvjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë.

Duke hedhur poshtë spekulimet rreth kalimit në sistemin parlamentar, Erdogan tha se Kushtetuta e re do të formohej në përputhje me sistemin presidencial të qeverisë, i cili u miratua në një referendum.

Më 16 prill 2017, Turqia mbajti një referendum gjatë të cilit shumica e votuesve vendosën në favor të një projekt-ligji prej 8 nenesh për të kaluar nga sistemi parlamentar në atë presidencial.