19:47 / E Mërkurë, 13 Mars 2019 / indeksADMonline

Erdogan, kryeministrit të Izraelit: Sillu mirë, je një tiran që masakron fëmijë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan lëshoi një “lumë” akuzash ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

“O Netanjah, sillu mirë! Je tiran! Je një tiran që masakron fëmijët 7-vjeçarë palestinezë”, tha kreu i shtetit turk.

Më tej, Erdogan ka sjellë edhe argumente fetare kundër hyrjes së forcave izraelite në vendet e shenjta myslimane. “Mos na provokoni. Nuk do të biem në kurthin tuaj. Ne nuk kemi bërë të njëjtën gjë me sinagogat tuaja, e as kemi shtypur besimtarët hebrenj”, ka thënë Erdogan.

Tensionet mes Turqisë, si mbrojtëse e palestinezëve, dhe Izraelit janë shfaqur në një retorikë më të ashpër se kurrë orët e fundit, ku dy udhëheqësit kanë lënë mënjanë çdo etikë dhe parimet e diplomacisë.

Shkëmbimi i etiketimeve në distancë nisi pas një deklatate të kryeministrit izraelit, ku Izraelit iu referua si komb-shtet i popullit hebre, gjë që në Ankara u interpretua si racizëm i paturp. Këtyre akuzave, nga Jeruzalemi iu përgjigj Netanyahu, me fjalët se Erdogan është një diktator që sulmon demokracinë në Izrael, ndërkohë që në vendin e tij, burgjet po mbushen me gazetarë dhe gjykatës.