Erdogan mbërrin në Uashington për një takim me Trumpin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili po merr pjesë në Asamblenë e 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), mbërriti në Uashington nga Nju Jorku për një takim me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, transmeton Anadolu.
Avioni me të cilin udhëtoi presidenti Erdogan dhe bashkëshortja e tij Emine Erdogan, u ul në aeroportin e bazës së përbashkët “Andrews”, që ndodhet në një distancë të shkurtër nga kryeqyteti.
Në aeroportin e bazës së përbashkët “Andrews”, presidenti Erdogan dhe delegacioni i tij shoqërues u pritën nga ambasadori turk në Uashington, Sedat Onal dhe zyrtarë të tjerë.
Në Uashington krahas presidentit Erdogan dhe bashkëshortes së tij Emine Erdogan mbërritën edhe ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Guler, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës Ibrahim Kalin, drejtori i Komunikimeve presidenciale Burhanettin Duran, presidenti i Industrive të Mbrojtjes Haluk Gorgun, shefi i kabinetit të presidencës, Hasan Dogan dhe kryekëshilltari i presidentit për politikë të jashtme dhe siguri, Akif Çagatay Kiliç.
Gjithashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme Hakan Fidan do të mbërrijë në Uashington pas takimeve të tij në Nju Jork.
Erdogan dhe Emine Erdogan udhëtuan nga aeroporti për në Blair House, pjesë e Shtëpisë së Bardhë, ku do të kalojnë natën.
Ndërkohë, Shërbimi Sekret amerikan u pa duke marrë masa të gjera sigurie rreth Blair House-it.