14:58 / E Martë, 10 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Erdogan: S’do ta pranoja çmimin “Nobel” në rast se një ditë do të më jepej

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se ai nuk do ta pranonte çmimin “Nobel” për paqe nëse një ditë do t’i ndahej atij, raporton AA.

Komentet e presidentit Erdoğan erdhen pas ndarjes së “Nobelit” për letërsi për Peter Handken, shkrimtar austriak, i cili njihet si mbështetës i ish-udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviq, i gjykuar për krime lufte.

Duke folur në një program të mbajtur me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut në Ankara, Erdoğani tha se Turqia gjithashtu nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e “Nobelit”, transmeton IndeksOnline.

“Shpërblimi i një vrasësi do të thotë bashkëveprim me zullumin”, deklaroi Erdoğani.

“‘Nobeli’ është konsumuar. ‘Nobeli’ është në një pozitë që vepron politikisht, në mënyrë ideologjike. ‘Nobeli’ nuk e ka asnjë vlerë për mua”, shtoi ai.

Handke njihet si një admirues i madh i Millosheviqit, i cili vdiq në vitin 2006 në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë teksa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.

“Ngrihuni në këmbë nëse i mbështesni serbët”, kishte shkruar Handke gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Ai po ashtu është mohues e gjenocidit serb gjatë luftës së Bosnjës.

Handke ka pretenduar se boshnjakët myslimanë në Sarajevë kishin vrarë veten e tyre, duke shtuar se ai kurrë nuk beson se serbët kishin kryer genocid në Srebrenicë,

Handke, gjithashtu kishte vizituar Millosheviqin në burg dhe ishte përpjekur të dëshmonte në favor të tij.

“Unë jam këtu për Jugosllavinë, për Serbinë, për Sllobodan Millosheviqin”, ishte shprehur Handke më 2006 për Millosheviqin.

Me fitimin e çmimit “Nobel”, Handke do të marrë gjithashtu 9 milionë krona suedeze (952.000 dollarë), si edhe një medalje dhe një diplomë.

“Në Evropë ka një krizë serioze të lidershipit”

Gjatë pjesëmarrjes në program, Erdoğan foli edhe për lidershipin dhe liderë të ndryshëm. Ai tha se në Evropë ka krizë lidershipi dhe se aktualisht nuk mund të marrë shembull ndonjë lider në këtë pjesë të botës.

“Kur shohim Evropën, aktualisht aty ka një krizë serioze të lidershipit, një boshllëk lidershipi. Unë nuk gjej guximin të them ‘Ky apo ai lider është shembull’ “, tha presidenti turk.

Ai po ashtu tha se Turqia do të largohet nga Siria kur të largohen edhe shtetet e huaja, por jo pa i eliminuar “të gjithë terroristët në rajon”.

Në lidhje me Libinë, Erdoğan tha Turqia mund të dërgojë “sasi të mjaftueshme” të trupave në Libi nëse Tripoli e kërkon një gjë të tillë.