75 Mall Live Search
11:40 / E Hënë, 07 Shtator 2020 / indeksADMonline

Erdogani reagoi për njohjen e Kosovës nga Izraeli, Thaçi thotë se kjo njohje s’e cenon partneritetin vëllazëror me Turqinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se njohja e shtetit të Kosovës nga Izraeli, është një arritje e madhe, strategjike për vendin tonë.

Sipas tij, Izraeli ishte i involvuar në procesin e Kosovës që nga periudha e luftës, duke strehuar refugjatë e duke pasur qëndrim të qartë atë kohë.

“Vetë Parlamenti i Izraelit kishte njohur për çështjen humanitare në vitet 98-99. Vetë personalisht për dy dekada isha në kontakt të vazhdueshëm me të ndjerin, Shimon Peres dhe më pas edhe me kryeministrin Netanjahu. Më 2007 isha për një vizitë dhe pati një mbështetje të vazhdueshme për Kosovën, e pse është vonuar njohja është çështje tjetër. Është e kuptueshme për Izraelin se kur do të marrë vendimin, por se a do ta njohë Kosovën kjo besoj ka qenë e ditur. Por mendoj se ka ndodhur në momentin e duhur. Ishim në kontakt të vazhdueshëm me shtetin e izraelit. Edhe gjatë këtyre vjetëve pse s’ishin të njohura, kemi bashkëpunuar në aspektin e sigurisë e ishte shumë e rëndësishme edhe për ne edhe për Izraelin paqja dhe siguria globale. Njohja nga Izraeli s’është e rastësishme, por është kurorëzim i përpjekjeve të gjata”, tha Thaçi, shkruan Indeksonline.

Thaçi tha se kjo njohje tani s’do të ndodhte ndoshta pa ndërhyrjen dhe vendimin e fuqishëm të presidentit Trump, që të ndikohet dhe arrihet kjo njohje aktualisht.

Thaçi komentoi po ashtu reagimin e presidentit turk, Rexhep Tayyip Erdogan, lidhur me njohjen e Kosovës nga Izraeli.

“Kanë rënë të gjitha konspiracionet për thika, për ndarje e që ishin skeptikë për shtetin e Kosovës. Është mirë që ata njerëz t’u kërkojnë falje qytetarëve. Është mirë të kemi besim gjithmonë në përkushtimin e SHBA-së dhe gjithashtu për hir të transparencës dëshiroj t’ju informoj se edhe shqetësimi që kemi marrë nga Liga Arabe dhe presidentit Erdogan, jam në kontakt me presidentin Erdogan kam diskutuar me telefon dhe kjo njohje Kosovë-Izrael s’do ta cenojë partneritetin miqësor e vëllazëror me Turqinë, por që tani do të kemi aleatë edhe më të mëdhenj në rrafshin global të fuqizimit të shtetit të Kosovës”, tha ai./Indeksonline/