Erdogan: Rusia nuk ka asnjë lidhje me shpërthimet në Poloni

Presidenti turk Tayyip Erdogan tha se respekton deklaratën e Rusisë se raketat ruse nuk kishin goditur territorin polak, duke shtuar se ai beson se Moska nuk kishte të bëjë “asgjë me të”.
“Deklarimi i Rusisë që thotë se kjo nuk ka të bëjë fare me ta dhe ai i (Presidenti i SHBA Joe) Biden, i cili tha se këto raketa nuk janë të prodhuara nga Rusia, tregojnë se kjo nuk ka të bëjë fare me Rusinë”, tha Erdogan të mërkurën në një konferencë shtypi gjatë samitit të G20 në Bali, Indonezi, raporton Reuters.
Erdogan tha se rasti duhet të hetohet dhe se ai do të flasë me presidentin rus Vladimir Putin kur të kthehet në Turqi.
“Ne nuk duhet të insistojmë që raketa që ra në Poloni është lëshuar nga Rusia, do të ishte një provokim”. Presidenti turk Erdogan tha këtë në Bali, duke kujtuar fjalët e Biden dhe deklaratën e G7-NATO, duke theksuar nevojën për hetime dhe për Moskën, e cila thotë se “nuk ka të bëjë fare me incidentin”.
“Është e mundur që ky të jetë një gabim teknik. Ne duhet të sjellim Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur, paqja mund të vijë vetëm nga dialogu, ne po punojmë shumë për këtë, sapo të kthehem do të jem në telefonatë me Putinin”, shtoi ai.