75 Mall Live Search
15:38 / E Enjte, 17 Korrik 2025 / mp

Erëra të forta dhe mundësi për rrufe në disa zona të Kosovës: IHMK paralajmëron kujdes

Pjesa veriore e Kosovës është përfshirë sot nga erëra të forta, ndërsa Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar për kushte atmosferike të paqëndrueshme në disa rajone të vendit.

Sipas IHMK-së, edhe pse në pjesën më të madhe të territorit parashihet mot me diell dhe vranësira të pakta, ekziston rreziku për reshje të izoluara shiu dhe rrufe, kryesisht në orët e pasdites.

“Vranësirat mund të sjellin reshje të karakterit lokal dhe shkarkesa rrufesh, veçanërisht në zonat me lartësi më të madhe dhe ato veriore”, thuhet në njoftimin e institutit.

Temperaturat minimale do të sillen nga 12 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 26 deri në 29 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi të lehtë deri mesatare, që arrin nga 1 deri në 9 metra për sekondë.

IHMK apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht ata që lëvizin ose qëndrojnë në ambiente të hapura gjatë kohës kur mund të ketë rrufe.