13:32 / E Enjte, 13 Prill 2023 / B O

Escobar nuk e takoi, Berisha: Më pëlqeu vizita e tij, i premtoj që do të ekstradojmë Ramën në SHBA sapo drejtësia atje ta kërkojë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar vizitën e dy ditore në vendin tonë të dërguarit të posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha ndonëse vetë nuk pati një takim me Escobarin u shpreh se ndoqi vizitën e të dërguarit të SHBA në Tiranë dhe se kjo vizitë i pëlqeu.

Ish-kryeministri premtoi se do të ekstradojnë kryeministrin Edi Rama drejt SHBA, sapo drejtësia atje ta kërkojë.

Ndër të tjera, Berisha theksoi se edhe ambasadorja Yuri Kim do të jetë nën hetim, duke bërë me dije edhe thirrjen që ai i ka bërë inspektorit të Përgjithshëm të FBI për të hetuar ambasadoren.

“Unë kam një eksperiencë të gjatë politike. Ajo çka mund ta garantoj zotin Escobar, dhe jo vetëm atë, se në programin elektoral të Sali Berishës do shtohet një pikë: ekstradimi i Ramës në SHBA sapo drejtësia amerikane ta kërkojë për ta çiftuar me McGonigalin.

Ambasadorja Yuri Kim është një McGonigal me fustan. Me 100 përqind ajo do jetë në hetim.

Dhe unë i kam bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të FBI, të hetojë afera korruptive të McGonigal me fustan, përfshi pronat e saj në Shqipëri, duke garantuar se PD do ndihmojë në këtë hetim.

E ftoj inspektorin e përgjithshëm për t’u njohur me fakte të pakundërshtueshme si kjo dritë dielli. Nuk mund t’i lejoj vetes të akuzoj një njeri, shqiptar apo të huaj”, tha Berisha.

Ndërkohë kujtojmë se i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, zhvilloi një vizitë dy ditore ku dhe takoi krerët e vendit si dhe kryetarët e partive politike.

Escobar takoi kryeministrin Rama, presidentin Begaj, kryetarin e komanduar te PD Enkelejd Alibeaj si dhe kreun e PL, Ilir Meta.