Escobar tregon nëse mund të shpërthejë konflikti në Ballkan

I dërguar Special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se i inkurajon të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor për t’u angazhuar drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai ka shtuar se nuk beson që një konflikt mund të shpërthejë në Ballkan.
Në pyetjen se nëse beson që jostabiliteti, pas luftës në Ukrainë, mund të shpërndahet edhe në Ballkan, Escobar është përgjigjur se jo.
“Arsyeja është pjesërisht edhe sepse shtetet e këtij rajoni janë zotuar që të mos e lejojnë të ndodhi kjo gjë. Ky premtim është dhënë nga të gjitha shtetet, përfshirë Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën”.
“Ndonëse shumë shtete në Ballkanin Perëndimor janë të cenueshme, mendoj se vëmendja që po i jep BE-ja dhe SHBA-ja, do të ndihmojë që të izolohen të gjithë mekanizmat potencialë destabilizues”, tha ai.
Sipas Escobar, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të përkushtuara për misionet humanitare dhe zbutjen e krizës.
“Me këtë gjë në mendje, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar për të ndihmuar përpjekjet humanitare, dhe vërtetë e bëjnë të gjithën që kanë premtuar. Si dhe, secili vend në Asamblenë e Përgjithshme, ka votuar në dënim të invazionit rus. Kështu që, mendoj se ky rajon do të bëjë një kontribut pozitiv drejt stabilitetit të krizës”, tha ai.
Në intervistën për mediumin kroat N1, Escobar ka thënë se të gjitha shtetet që i janë bashkuar BE-së, janë bërë më demokratike.
“Të gjitha shtetet që i janë bashkuar BE-së janë bërë më demokratike, stabile e prosperuese, pa asnjë pasojë për tjerët. Kjo është pikërisht ajo që duam për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë”.
“Shpresoj që të gjitha këto shtete do të kenë një rrugë të qetë drejt Evropës, një derë të hapr, dhe se do të jenë në gjendje të përfundojnë proceset në kohë të arsyeshme. Koha varet edhe nga raportet që kanë me BE-në, mirëpo ne inkurarojmë ato që të bëjnë progres, e po ashtu inkurajojmë edhe partnerët evropianë që të japin sinjale të qarta se ato janë të mirëseardhura”.