23:02 / E Hënë, 05 Qershor 2023 / AR

Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në Dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçaku, teksa shtoi se ky është vetëm fillimi.

Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave “legjitimë” dhe që përfaqësojnë qytetarët, raporton rel.

Ndërkohë, Escobar tha se ai erdhi në këtë takim si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.

“SHBA-ja, BE-ja dhe pothuajse cdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha Escobar.

Takimi ishte paralajmëruar të niste në orën 20:00, mirëpo nisi më shumë se 30 minuta më vonë.

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd, më 5 dhe 6 qershor.

Një ditë më parë, Escobar ka thënë për BBC-në se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të shmangshme, dhe u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa drejt uljes të tensioneve.

“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”.