Është divorcuar me Barack Obaman? Michelle Obama “thyen” heshtjen

Ish-zonja e parë e SHBA-së, Michelle Obama, ka reaguar ndaj thashethemeve për një divorc të mundshëm me bashkëshortin e saj, Barack Obama. Në një intervistë të fundit në një podcast, ajo sqaroi arsyet pse është tërhequr përkohësisht nga angazhimet publike, duke theksuar se kjo nuk ka lidhje me jetën e saj martesore.
“Njerëzit zakonisht e kuptojnë kur unë them ‘jo’ dhe e pranojnë këtë. Por si gra, shpesh përballemi me zhgënjimin që të tjerët ndjejnë kur ne zgjedhim për veten,” tha Michelle. Ajo shtoi se mungesa e saj në disa ngjarje publike pranë Barack-ut ka bërë që disa të spekulojnë për probleme në martesë, një ide që ajo e hodhi poshtë me humor.
“Disa nuk arrijnë ta imagjinojnë që unë thjesht po bëj zgjedhje për mirëqenien time, pa pasur ndonjë dramë pas saj. Dhe menjëherë nisën thashethemet për divorc,” u shpreh ajo, duke qeshur me spekulimet.
Michelle shtoi se presioni që u vihet grave për t’u përshtatur me pritshmëritë shoqërore është i padrejtë. “Shoqëria shpesh nuk e pranon që ne thjesht të vendosim për veten tonë, pa na etiketu si egoiste apo problematike,” theksoi ajo.
