“Është rrethrrotullim i përkohshëm”/ MMPHI-ja arsyeton gërmimet në rrugën Prishtinë-Podujevë
Mëngjesin e sotëm, IndeksOnline ka publikuar një video ku shihen bagerë që po e hiqnin asfaltin, në një segment të rrugës Prishtinë-Podujevë.
Lidhur me këto punime, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë se po ndërtohet një rrethrrotullim i përkohshëm.
Në një deklarim për IndeksOnline, MMPHI-ja pohon se ky rrethrrotullim po ndërtohet në segmentin Lluzhan-Gllamnik, bazuar në kërkesat për sigurinë rrugore dhe nevojat e banorëve lokalë.
Po nga ministria bëjnë me dije se vendimi për ndërtimin e këtij rrethrrotullimi u mor më vonë, gjatë fazës së zbatimit të projektit.
“Vendimi për ndërtimin e këtij rrethrrotullimi është marrë më vonë gjatë fazës së zbatimit të projektit.
Për realizimin e punimeve sipas projektit të aprovuar, si edhe për të mundësuar: vendosjen e instalimeve nëntokësore, rregullimin e rrjedhës së ujërave nga rruga dhe sigurimin e një lidhjeje të përshtatshme me rrugët ekzistuese, është e nevojshme që ndërtimi i rrethrrotullimit të kryhet me të gjitha shtresat e asfaltit, sipas standardeve teknike përkatëse”, deklaron MMPHI-ja.

