Eskalimi i protestave në Serbi tërheq vëmendjen e mediave gjermane: Regjimi përballet me studentët

Shumë media gjermane kanë raportuar gjerësisht për trazirat e fundit në Serbi, duke publikuar pamje nga protestat në Novi Sad dhe Beograd në edicionet kryesore informative. Pamjet janë transmetuar edhe në lajmet qendrore të ARD, televizionit publik gjerman. Media të tjera si portalet dhe gazetat e përditshme kanë ofruar raportime të shkurtra mbi ngjarjet që kanë tronditur vendin.
“Regjimi është në kurs përballjeje me studentët”, shkruan Deutsche Welle (DW), duke cituar një artikull të gazetarit Andrej Ivanji për gazetën “Tageszeitung” në Berlin. Ai përshkruan se si protestat studentore në Serbi, që zgjasin prej nëntë muajsh, kanë qenë kryesisht paqësore deri para pak ditësh, kur tensionet shpërthyen në qytete të vogla të Vojvodinës, si Vrbas dhe Bačka Palanka.
Studentët kanë bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare nën moton “Serbi, zgjohu!”, ndërsa qytetarët në Beograd, Novi Sad, Nish, Krushevc, Smederevë, Uzicë, Çaçak, Pançevë dhe Lazarevc iu përgjigjën thirrjes. Sipas Ministrisë së Brendshme serbe, mbi 70 persona janë lënduar gjatë përleshjeve në disa qytete.
Në artikull thuhet se regjimi i presidentit Aleksandar Vuçiç ka zgjedhur përballjen me studentët, duke përdorur aktivistë dhe simpatizantë të partisë në pushtet, SNS, për t’i përballur protestuesit. Njësitë speciale të policisë janë tërhequr në plan të dytë, pasi nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të mbuluar demonstrata të njëkohshme në disa qytete.
Kriminelë me dosje të trasha policore në mesin e simpatizantëve
Sipas mediave, shumë nga simpatizantët e regjimit që janë parë nëpër protesta kanë qenë të identifikuar si persona me të kaluar kriminale dhe dosje të gjera policore. Përshkrimi i tyre është uniform: qafa të trasha, muskuj të zhvilluar, veshje të errëta, shumë prej tyre të maskuar apo me tatuazhe.
DW përkujton edhe ngjarjen e rëndë të 1 nëntorit 2024 në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku rrëzimi i një ndërtese mori jetën e disa personave. Opozita atëherë e cilësoi këtë si pasojë të korrupsionit endemik në vend. Pas kësaj, rreth 100,000 studentë hynë në skenën politike, duke udhëhequr një rezistencë të vazhdueshme kundër regjimit të Vuçiqit.
Në kronikën e ditëve të fundit përmendet përleshja para selive të SNS në Novi Sad, si dhe rrethimi i ndërtesës ku ndodhej kryetari i partisë, Milosh Vucevi , me djalin e tij, që më pas u evakuuan nga njësia elitare “Kobrat”, pas të shtënave paralajmëruese në ajër.
Të mërkurën, në kulmin e protestave, presidenti Vuçiç u shfaq në selinë e partisë në Beograd, ku nxitësisht u kërkoi anëtarëve të SNS të përballen me protestuesit. Komentatori dhe gazetari i njohur Milan Culibrk deklaroi se Vuçiq “nuk është më president i vendit, por vetëm një lider partie”, duke shtuar se kreu i shtetit ka braktisur rolin e tij kushtetues dhe ka marrë pozicion aktiv politik, ndërsa Vuceviq vetëm formalisht udhëheq partinë.
Sipas deklaratave të tyre, SNS nuk do të tërhiqet më, dhe do të “mbrojë shtëpitë dhe pronën nga sulmet e terroristëve, sipas parimit: të gjithë për një – një për të gjithë.”
“Në vend se të shpallë zgjedhje të parakohshme, Vuçiç po e çon vendin drejt luftës civile”, deklaroi Lëvizja Studentore në profilin e saj zyrtar në Instagram.
Reagime nga media të tjera gjermane
Gazeta Rheinische Post nën titullin “Në Serbi protestat kundër qeverisë po eskalojnë”, shkruan se trazirat janë përhapur nga Novi Sadi deri në Nish, me presidentin Vuçiq që paralajmëron “pastrim të rrugëve nga huliganët” dhe pa asnjë mëshirë për ta. Në një vend të përçarë politikisht, që pretendon të anëtarësohet në BE, protestat disa mujore kundër korrupsionit po arrijnë pikën e vlimit.
Studentët, opozita dhe mediat e pavarura akuzojnë strukturat e dhunshme të SNS për organizimin e përleshjeve, ndërsa Vuçiq tenton të zhvendosë fajin tek kundërshtarët e tij.
Frankfurter Allgemeine Zeitung raporton për një dimension ndërkombëtar të krizës, pas një incidenti në qytetin e Backi Petrovacit, me shumicë sllovake, ku simpatizantë të SNS kanë shkatërruar një ekspozitë fotografike që mbështeste protestat studentore gjatë një feste tradicionale sllovake.
Ombudspersoni sllovak, Robert Dobrovodski, ka kërkuar nga kolegu i tij serb hetim për mosreagimin e policisë, ndërsa lideri opozitar sllovak, Michal Simecka, ka udhëtuar personalisht në qytet për të shprehur solidaritetin me komunitetin sllovak në Serbi. Nga ana tjetër, kryeministri sllovak Robert Fico, aleat i Vuçiqit, e cilësoi ngjarjen si “çështje të brendshme të Serbisë” – një qëndrim që ka shkaktuar kritika të ashpra në Bratislavë.