75 Mall Live Search
13:35 / E Enjte, 06 Qershor 2024 / MSH

Eskalon protesta e opozitës në Shqipëri, digjen goma para kuvendit

Opozita ka vijuar protestat sot para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, ku po mbahet mes debatesh seanca plenare e radhës.

Protestuesit u kanë vënë flakën gomave para Kuvendit, teksa akuzonin qeverinë si të lidhur me trafikantë droge.

“Të shpëtojmë Parlamentin nga narkodeputetët, të shpëtojmë vendin nga narkoqeveria. Opozita i del zot çdo qytetari të tij. Rama ik!”, ishin thirrjet e protestuesve.

Policia e Shtetit mori masat për mbarëvajtjen e protestës ndërsa efektivë u rreshtuan në hyrjen përpara Kuvendit. Deputetët hynë në sallë përpara nisjes së protestës duke shmangur përplasjet.

Fillimisht protestuesit kanë shtyrë policinë, e më pas kanë hedhur përveç molotovëve, edhe gurë në drejtim të tyre. Protestuesit hodhën edhe fruta në drejtim të policisë.

Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi mori fjalën në protestë ku u shpreh se beteja e opozitës nuk do të ndalet derisa të rrëzohet kjo qeveri.

“Ky është një regjim i mbështetur në drogë, krim dhe korrupsion. I takon qytetarëve të marrin në dorë fatet e tyre. Të nderuar policë hapni rrugën për qytetarët. Nuk keni përballë jush asnjë deputet të inkriminuar, asnjë ministër, ata i keni në qeveri. Bashkohuni me protestuesit”, tha Këlliçi.

Protesta e opozitës ka vijuar me përplasje të forta me policinë, ndërsa protestuesit u përpoqën të heqin kordonin e krijuar nga uniformat blu. Pamjet nga protesta tregojnë për përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë.

Anëtari i Rithemelimit, Klevis Balliu u përplasu me policinë ndërsa iu bashkua protestuesve në përpjekjen për të çarë kordonin e sigurisë.

Policia ka pasur gati mjetet e hedhjes së ujit për shpërndarjen e protestuesve në rast të përshkallëzimit të përplasjeve.

Përplasjet kanë vijuar edhe pas djegies së gomave, ndërsa ka pasur përplasje fizike me Policinë.

Protesta u thirr nga Rithemelimi pas episodit të dytë të RAI 3 për Shqipërinë.