00:21 / E Shtunë, 20 Nëntor 2021 / MSH

Eskalon situata në Rotterdam, protesta ndaj masave të Covid-19, shumë të lënduar, dyshohet edhe për viktima

Mijëra protestues kanë vërshuar rrugët e Rotterdamit në Holandë për të kundërshtuar bllokimin e pjesshëm për shkak të koronavirusit.

Demonstrata e holandezëve filloi në ora 20:00 në rrugën Coolsingel në qendër të qytetit, për të eskaluar shumë shpejt.

“Zjarrët janë vënë në disa vende. U ndezën fishekzjarrë dhe policia shtëni disa herë si paralajmërim. Nga të shtënat ka të lënduar” thuhet në një njoftim zyrtar të policisë holandeze.

Deri më tani, raportohet të ketë dhjetëra të lënduar, ndërsa dyshohet se nga kjo protestë ka edhe viktima.

Videot nga vendi i ngjarjes shfaqin vetura dhe ndërtesa të djegura, teksa akoma nuk dihet nëse protesta do të ndalet me kaq.

Tash e disa ditë, qeveria holandeze ka vendosur karantinë në vend për shkak të rritjes drastike të numrit të të infektuarve me COVID-19.

Mesatarisht, çdo ditë në Holandë po raportohen mbi 17 mijë raste të reja.