Estonia nis revolucionin digjital në shkolla: Inteligjenca Artificiale, pjesë e çdo klase

Përderisa shumë vende në Evropë e kanë ndaluar përdorimin e “smartphone”-ve në shkolla, Estonia – e konsideruar fuqia e re arsimore e Evropës – është duke udhëzuar nxënësit të përdorin pajisjet në klasë, ndërsa që nga shtatori do të marrin edhe llogaritë personale të Inteligjencës Artificiale.
Sipas “The Guardian”-it, Estonia po nis një iniciativë kombëtare të quajtur AI Leap, që do t’i pajisë nxënësit dhe mësuesit me “mjete dhe aftësi botërore në fushën e inteligjencës artificiale”. Ndërsa, është bërë e ditur se po negociohen licenca me OpenAI, që do ta shndërrojë Estoninë në një laborator eksperimental për përdorimin e Inteligjencës Artificale në shkolla. Qëllimi është të ofrohet qasje falas në mjetet më të avancuara të të mësuarit me IA-në për 58,000 nxënës dhe 5,000 mësues deri në vitin 2027, duke filluar me 16- dhe 17-vjeçarët këtë shtator.
Sipas zyrtarëve, mësuesit do të trajnohen në teknologji, duke vënë prioritet barazinë arsimore dhe aftësitë për përdorimin e IA-së. Ata kanë thënë se kjo do ta bëjë Estoninë “një nga kombet më të mençura në përdorimin e IA-së”.
Ndërkohë, ministrja estoneze e Arsimit, Kristina Kallas, gjatë një vizite në Londër për Forumin Botëror të Arsimit, ëshë shprehur me fjalët: “E di se shumica e vendeve evropiane janë skeptike dhe të kujdesshme ndaj ekraneve, telefonave mobilë dhe teknologjisë. Por në rastin e Estonisë, shoqëria në përgjithësi është shumë më e hapur dhe e prirë për të përdorur mjete dhe shërbime digjitale. Mësuesit nuk bëjnë përjashtim”.