Etrit Berisha ka këto fjalë për goditjen që mori nga tifozët
Edhe pse i ndëshkuar dyfish, sa nga turqit me dy golat e pësuar në disfatën 0-2, por edhe nga tifozët kuqezi, që e goditën me sendet e hedhura në fushë, portieri i përfaqësueses së Shqipërisë, Etrit Berisha, në intervistën e tij për “RTSH” ka tentuar të shfaqet i përmbajtur.
“Nuk mendoj se ishte aq e keqe paraqitja jonë, sidomos në pjesën e parë kur patëm disa raste për shënim. Edhe pas golit të parë të pësuar tentuam të reagojmë, por pas golit të dytë pësuam një goditje të rëndë psikologjike”, deklaroi Berisha.
“Koret nuk janë gjë e mirë. Këtu jemi të gjithë duke bërë një sakrificë. Besoj se diku i pengoi ndërhyrja ime dhe e Gjimshitit që shkuam aty, por më pas ndodhi ai incident që nuk duhej të ndodhte”, u shpreh gardiani kuqezi në lidhje me atë reagimin e tifozëve të cilët nisën të hedhin objekte në fushë, sikurse dhe të këndojnë kore kundër trajnerit Christian Panucci.
“Besoj se sot normalisht nuk do të jetë një natë aq e qetë. Jemi profesionistë dhe duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Të fillojmë të marrim 3 pikë dhe të mendojmë për të ardhmen”, përfundoi Etrit Berisha.