14:56 / E Mërkurë, 09 Tetor 2019 / indeksADMonline

EULEX: I ngadaltë ritmi i shqyrtimit të rasteve të profilit të lartë

EULEX-i ka vërejtur një trend pozitiv në seancat dëgjimore nëpër gjykata të cilat i ka monitoruar, me një rritje të dukshme të seancave dëgjimore produktive kundrejt atyre joproduktive. Ndërsa ritmi i shqyrtimit të rasteve të profilit të lartë të cilat më parë janë trajtuar nga EULEX-i, në përgjithësi mbetet i ngadaltë.

Kështu u tha me rastin e prezantimit të raportit të EULEX-it para përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës për sundim ligji me gjetjet nga monitorimi i rasteve.

Zyra e informimit e EULEX-it nëpërmjet një komunikate shtypi, ka bërë të ditur edhe mbarëvajtjen e takimit dhe ato që janë thënë aty.

Kështu, bëhet e ditur se gjatë prezantimit të gjetjeve të këtij raporti, udhëheqësi i Njësisë për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, ka thënë se EULEX-i ka vërejtur një trend pozitiv nëpër seancat dëgjimore nëpër gjykata, të cilat i ka monitoruar, me një rritje të dukshme të seancave dëgjimore produktive kundrejt atyre joproduktive. Duke komentuar rreth ritmit të shqyrtimit të rasteve të profilit të lartë, të cilat më parë janë trajtuar nga EULEX-i, Van Eck Koster, theksoi se ai “në përgjithësi mbetet i ngadaltë”.

Gjatë prezantimit të këtij raporti, u.d. i shefit të EULEX-it, Bernd Thran, ka thënë se monitorimi i thuktë i rasteve të përzgjedhura ka dëshmuar të jetë një mjet efektiv për vlerësimin e përputhshmërisë së sistemit të drejtësisë vendëse me legjislacionin e Kosovës dhe standardet për të drejtat e njeriut.

“Puna e këtij misioni në këtë fushë është e trefishtë: së pari, ne i identifikojmë trendet dhe dukuritë që ndikojnë në funksionimin e gjyqësorit; së dyti, ne japim rekomandime të cilat janë të përfshira në raport dhe së treti, aty ku është e mundur, hartojmë dhe zbatojmë projekte në bazë të zbrazëtirave të identifikuara për adresimin e këtyre gjetjeve. Një shembull për këtë është seminari i organizuar kohëve të fundit për fuqizimin e kapaciteteve të prokurorëve specialë dhe zyrtarëve ligjorë për ndjekjen penale të rasteve të terrorizmit”, ka thënë ai.

Sipas tij, është me rëndësi se EULEX-i vazhdon të punojë krah për krah me institucionet e Kosovës për sundim ligji, ngase kanë synimin të njëjtën gjë: bërjen të qasshëm sistemin e drejtësisë për secilin dhe të besueshëm për qytetarët.

Gjetjet e këtij raporti i ka vlerësuar kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, i cili ka theksuar rëndësinë e faktit se raporti po ashtu përfshinë rekomandime konkrete për mënyrën e trajtimit të sfidave që kanë mbetur.

“Ky është një raport i mirë. Sipas gjetjeve që janë përfshirë aty, shihet se ka progres”, ka thënë Çoçaj.

Njësia e EULEX-it për Monitorimin e Rasteve e bën vlerësimin e funksionimit të gjyqësorit të Kosovës në aspektin e përputhshmërive procedurale, ligjore dhe të drejtave të njeriut. Vlerësimi kryhet përmes monitorimit të thuktë sistematik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile, përfshirë, rastet e profilit të lartë dhe rastet që më parë janë trajtuar nga EULEX-i. Ky mision e monitoron tërë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale, përkatësisht në nivelin e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit.

Ndërkaq, raporti i prezantuar sot përfshinë një numër të rekomandimeve të drejtpërdrejta për avancimin e sistemit prokurorial të Kosovës.