15:55 / E Premte, 08 Shtator 2023 / S Z

Euro bie sërish, këmbehet me 107.32 Lekë. Në rënie edhe valutat e tjera

Monedha europiane përgjatë gjithë kësaj jave ka pësuar vetëm rënie në kursin e këmbimit.

Këtë të premte sipas Bankës së Shqipërisë, 1 Euro këmbehet mesatarisht me 107.32 Lekë, ndërsa në pikat e këmbimit valutor në blerje ka rënë deri në 106. 7 Lekë.

Ekspertët e ekonomisë e lidhin këtë trend me paranë informale në qarkullim, ndërsa efekt ka edhe zgjatja e sezonit turistik.

“Kemi zhvendosje të periudhave turistike tashmë, ku edhe vjeshta përdoret mjaftueshëm të paktën nga turistët e huaj. Në këtë moment Euro reflekton ato tendenca të ekonomisë së fshehur, apo ekonomisë informale e cila ka diktuar këtë kurs”, thotë eksperti Eduart Gjokutaj.

Luhatjet e Euros për ekspertët nuk po japin sinjale për një rimëkëmbje në periudhë afatshkurtër. Në fillim Shtatori vjet Euro këmbehej me 117 Lekë, 10 Lekë më shumë sesa sot.

“Një ekulibër i ri i balancës mes Euros dhe Lekut do të vendoset, natyrshëm që një rimëkëmbje siç ishte para shumë muajve nuk është më në lojë”.

Këtë javë rënia ka prekur edhe monedhat e tjera si Dollarin, Paundin apo Frangën Zvicerane.