08:18 / E Premte, 04 Tetor 2019 / indeksADMonline

Euro rifiton terren ndaj lekut, tani në nivelin 122.66

Monedha e përbashkët ka hyrë në një trajektore rritëse në tregun e brendshëm prej më shumë se dy javësh. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye dje me 122.66 lekë, duke u arritur në nivelin më të lartë që nga fundi i muajit maj.

Që nga mesi i shtatorit, kur arriti në 121.5 lekë, monedha e përbashkët është mbiçmuar me 1.5 lekë, në tendencë të ndryshme nga bursat ndërkombëtare ku euro ka qenë e dobët. Aktorët e tregut valutor pohojnë se rritja e euros lidhet më shumë me faktorë të tregut të brendshëm, ku bankat e nivelit të dytë kanë qenë aktive në blerje gjatë ditëve të fundit, për llogari të klientëve të tyre.

Nga ana tjetër edhe faktorët sezonalë që nxitën rënien e euros në gusht, si prurjet nga turistët dhe nga emigrantët kanë përfunduar, duke ndikuar në uljen e ofertës. Në të kundërt, dollari ka rënë në tregun e brendshëm, pasi pardje arriti në 122.15 lekë, niveli më i lartë ky që prej fundit të 2017-s. Ekspertët presin që euro të jetë e fortë deri në muajin dhjetor dhe më pas sezonalisht fundi i dhjetorit shënon një nënçmim të saj, për shkak të prurjeve të emigrantëve.

Aktorët presin që në periudhat në vijim volumet e këmbimit do të jenë tepërt të ulëta. Sipas tyre muaji tetor dhe gjysma e muajit nëntor, historikisht, janë konsideruar si muaj të vdekur për sa i përket volumeve tregtare dhe parasë në qarkullim.