Euro shënon luhatje, për një vit zhvlerësohet më 10 lekë
Situata nuk ka qenë normale, pasi zhvlerësimi i Euros nuk ka ardhur prej zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, por për shkak të rritjes së sasisë së kësaj valute në Shqipëri. Ekspertë të ekonomisë e lidhin me paratë e pista, të cilat hyjnë në vendin tonë përmes kanaleve të ndryshme.
Ndërkohë Bankës Qendrore i është dashur të ndërhyjë disa herë fort në tregun e brendshëm të valutës, për të mos lejuar një zhvlerësim edhe më të madh. Rreth 400 milionë euro janë blerë nga Banka e Shqipërisë për të ulur ofertën e lartë.
114.55 milionë Euro janë blerë vetëm gjatë verës me objektiv moslejimin e forcimit të mëtejshëm të lekut. Operacionet financiare kanë vazhduar edhe më pas për të stabilizuar situatën. Gjithsesi qëllimi i bankës nuk është ruajtja e kursit të këmbimit, por mbrojtja e nivelit të inflacionit.
Që nga mesi i 2016-ës, monedha e përbashkët evropiane po humb pikë dhe kjo ka ndikuar në rënien e të ardhurave në buxhet, që deri tani për këtë vit janë rreth 9 miliardë lekë. Goditje të fortë kanë pësuar dhe eksportet shqiptare, ndërsa shoqatat e prodhuesve dhe të fasonëve thonë se humbjet llogariten rreth 200 milionë Euro.