18:28 / E Shtunë, 10 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Eurodeputeti gjerman: Qytetarët e Kosovës që nga e kaluara i kanë merituar vizat

Eurodeputeti gjerman dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein për “European Western Balkans” ka thënë se njerëzit në Kosovë e meritojnë liberalizimin e vizave.

Ai në një intervistë ka thënë se institucionet e Kosovës i kanë bërë të gjitha ato që u janë kërkuar dhe tani PE duhet të jetë i besueshëm, transmeton Indeksonline.

“Nuk e kam llogaritur se sa vende janë kundër. Diskutimi midis Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit ka filluar tani. Le të presim që të shohim se cili është rezultati. Unë jam shumë i bindur se qytetarët e Kosovë e meritojnë liberalizmin. Ata e meritojnë atë jo vetëm që nga sot, por edhe në të kaluarën e kanë merituar. Ata kanë bërë atë që kemi kërkuar prej tyre dhe tash na takon neve që të jemi të besueshëm”, ka thënë Fleckenstein.

Ndërsa, i pyetur se për pranimin e Serbisë në BE a është kusht njohja e pavarësisë së Kosovës, deputeti gjerman ka thënë se të dy palët duhet të gjejnë zgjidhje mes vete në mënyrë që të shmangët konflikti në BE.

“Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë zgjidhje mes njëra-tjetrës, ne nuk duam ta importojmë këtë konflikt në Bashkimin Evropian. Si mund të jetoni në Bashkimin Evropian me të gjitha këto rregulla nëse nuk mund të gjeni një mënyrë për t’u marrë me të afërmin tuaj?”, ka thënë ai./Indeksonline/