75 Mall Live Search
22:11 / E Enjte, 26 Janar 2023 / MSH

Eurodeputeti Mandl nesër në Kosovë, nderohet me Doctor Honoris Causa nga Universiteti “Kadri Zeka”

Anëtari i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl do ta vizitojë nesër Kosovën.  Mandl do të nderohet nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan me çmimin “Doctor Honoris Causa”, Ky organizim do të mbahet nga ora 15:00, nesër (e premte) në sallën e teatrit të qytetit të Gjilanit.

Prorektori i UKZ-së, Dukagjin Leka ka konfirmuar për Indeksonline se Senati i Universitetit Publik “Kadri Zeka” ka vendosur për t’i dhënë titullin Doktor Honoris Causa, deputetit austriak në Parlamentin Evropian, z. Lukas Mandl për përkushtimin e tij për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

“UKZ-ja është e nderuar me një vendim të tillë, i cili titull jepet vetëm për personalitete që kontribuojnë shumë për diplomacinë, paqen, politikën, shoqërinë, kulturën, arsimin e kështu me radhë, e për të cilat z. Mandl njihet për të gjitha këto kontribute në favor të Kosovës”, ka theksuar Leka.

Leka tha se Mandl do të mbajë dhe një ligjëratë para studentëve në amfiteatrin e këtij fakulteti.

Po ashtu ai bëri të ditur se ky nderim do t’i bëhet me nismën e Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit, kryetar avokat Arsim Vranovci.

Sipas vendimit të Senatit titulli i nderit i jepet me këtë motivacion; për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore, në mbështetje dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, në rajon dhe me gjerë, për kontribut në proceset shtetformuese të Republikës së Kosovës, për kontribut në avokimin e kauzës së Republikës së Kosovës në Parlamentin Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, në përgjithësi, për mbështetje të pakursyer dhe avokim për njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, për përpjekjet e vazhdueshme si raportues për Republikën e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe në Partinë Popullore Evropiane (EPP), për kontribut në themelimin e Shoqatës se Miqësisë Austriako-Kosovare dhe për kontribut në fushën e kulturës e të medias për përhapjen e të vërtetës së Kosovës.