11:55 / E Mërkurë, 18 Maj 2022 / k.v

Evakuohen nxënësit e “Xhevdet Dodës”, dikush dërgoi e-mail për kërcënim me bombë

IndeksOnline raportoi pak më parë për një kërcënim me bombë në gjimnazin Xhevdet Doda në Prishtinë. Tani ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar nga Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 11:00 është pranuar  informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, ka thënë për IndeksOnline, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë Rajonale në Prishtinë.  

Ai tha se policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën në atë zonë.

Ndërkohë që në një perimetër të caktuar policia ka evakuuar nxënësit dhe personelin e shkollës,  specialist të policisë po trajtojnë dhe verifikojnë  informatën./IndeksOnline/