11:08 / E Enjte, 08 Qershor 2023 / MSH

Evakuohet çifti gjerman që u bllokua në Gropat e Erenikut

Një çift gjerman mbrëmë u bllokua në Gropat e Erenikut.

Të njëjtit kishin kontaktuar Qendrën Kombëtare të Emergjencve në Tiranë, të cilët më pas e bartën rastin në Kosovë.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka njoftuar se çifti gjerman ishte duke kaluar nga Gropat e Erenikut në drejtim të staneve të Dobërdolit, por për shkak të terrenit të mbuluar me borë dhe kushteve të papërshtatshme atmosferike, janë ndalur me panikë dhe kanë kontaktuar 112-shin për ndihmë.

ShKShMK ka rënë në kontakt me çiftin të cilëve u ka dhënë udhëzimet e sigurisë malore, duke i këshilluar që të qëndrojnë në vendin e njëjtë.

Tek ta kanë arritur disa banorë lokal të Junikut, të cilët kanë ndihmuar në evakuimin e tyre.

Ky është njoftimi i plotë i Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës:

Me datën 07.06.2023 në ora 18:36 pranuam një thirrje nga Qendra Kombëtare e Emergjencave/Tiranë, të cilët na njoftuan për një rast emergjent në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri.

Bëhej fjalë për një çift turistësh Gjerman, të cilët ishin duke kaluar nga Gropat e Erenikut për në stanet e Dobërdolit, mirëpo për shkak të terrenit të mbuluar me borë dhe kushteve jo të favorshme atmosferike janë ndalur me panikë duke mos mundur të vazhdojnë më tej dhe kanë kontaktuar numrin emergjent 112 për ndihmë.

Valët e telefonisë mobile janë kyqur me ato të Shqipërisë duke krijuar këtë zinxhir (efikas )të thirrjeve dhe organizimit të operacionit të shpëtimit malor.

Kordinatat e dërguara rezultonin me vendin e quajtur qafa e Gusanit, e cila pozicionohet shumë afë majës së Gjeravicës.

ShKShMK pastaj ka rënë në kontakt telefonik edhe me personat e ngujuar, dhe ka vazhduar me dhënien e udhëzimeve të sigurisë malore duke i këshilluar për të qëndruar në atë lokacion për arsye të evitimit të ndonjë aksidenti.

Shumë shpejt bëhet kordinimi me anëtarët dhe Policinë e Kosovës dhe me një planifikim operacional nis operacioni i shpëtimit malor.

Një ekip e ShKShMK së fillon çasjen në lokacionin e lartcekur nga krahu verior apo Bjeshkës së Vokshit, kurse ekipi tjetër nga Gropa e Erenikut – krahu juglindor, por me kordinim të plotë mes njëri tjetrit.

Banorët lokal të zonës nga Juniku në mesin e tyre edhe bjeshkatarë, me të kuptuar rastin ishin nisur në ndihmë dhe kishin arritur tek turistët pak kohë para arritjes të shpëtuesve tanë.

Turistët pas një operacioni të suksesshëm disa orësh janë evakuar në Gropa të Erenikut pa ndonjë problem shëndetësor.

Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit për gatishmërinë dhe shpirtin human.

Operacioni konsiderohet i përfunduar në orën 01:30 të mesnatës së datës 08.06.2023

Apelojmë : shtegu që lidh majën e Gjeravicës dhe Dobërdolin momentalisht duhet të kalohet vetem me pajisje të sigurisë dhe rekomandohet me udhëheqës malor ,pasi që pjesa e pjerrët mbi liqenin zemër është akoma e mbuluar me borë dhe kërkon pajisje për bjeshkatari në kushte dimërore, andaj zgjedhni një shteg alternativ duke u konsultuar me banorët e zonës apo udhëheqësit malor që operojnë në këto zona.

Gjithashtu para nisjes në çdo aktivitet të mirren informata të sakta për motin, dhe të përdoren pajisjet e orientimit si harta, GPS, etj.