75 Mall Live Search
15:24 / E Martë, 21 Tetor 2025 / Z S

Evropa thotë se vijat e tanishme të frontit në Ukrainë duhet të jenë pikënisja e bisedimeve për paqe

Udhëheqësit evropianë kanë thënë të martën se vijat e tanishme të frontit në Ukrainë duhet të jenë pikënisja për çfarëdo bisedimesh për paqe.

Kërkesa e tyre vjen teksa përgatitjet për një takim mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, duket se kanë hasur në pengesa.

Trump – i cili javën e kaluar foli në telefon me Putinin dhe u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky – ka thënë se synon ta takojë liderin rus në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, brenda dy javësh, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Por, përgatitjet për takimin mes tyre duket se janë pezulluar, pasi një takim paraprak mes sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është shtyrë.

Ky takim pritej të mbahej në Budapest të enjten.

Lavrov dhe Rubio folën në telefon të hënën. Zëvendësi i Lavrovit, Sergei Ryabkov, tha të martën se është ende herët për të folur për kohën e ndonjë takimi ballë për ballë mes tyre.

Evropianët duan që Trumpi të sigurojë lëshime këtë herë

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ishte të martën në Uashington, ku shkroi në Facebook: “Na presin disa ditë shumë serioze përpara”.

Aleatët evropianë të Ukrainës janë shprehur të shqetësuar se Trumpi mund të takohet për herë të dytë me Putinin pa siguruar ndonjë lëshim të rëndësishëm nga lideri rus. Putini nuk e kishte pranuar thirrjen e Trumpit për armëpushim kur ky i fundit e priti në Alaskë në gusht.

Në një deklaratë të martën, udhëheqësit e fuqive kryesore evropiane, përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe BE-në, thanë se “mbështesin fuqishëm qëndrimin e presidentit Trump se luftimet duhet të ndalen menjëherë dhe se vija e tanishme e kontaktit duhet të jetë pika fillestare e negociatave”.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë prej kohësh kanë kërkuar armëpushim të menjëhershëm përgjatë vijave të tanishme të frontit para fillimit të bisedimeve për paqe – një qëndrim që Trump e mbështeti publikisht të premten e kaluar pas takimit me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë.

Moska ka thënë se dëshiron që Ukraina t’i dorëzojë asaj më shumë tokë si pjesë e disa kushteve që Rusia ka vënë për arritjen e armëpushimit.

Reuters dhe media të tjera raportuan se takimi i Trumpit me Zelenskyn me dyer të mbyllura javën e kaluar ka qenë i tensionuar, dhe se presidenti amerikan kishte përdorur herë pas here fjalor të ashpër dhe e i kishte bërë trysni Zelenskyt t’i pranonte disa prej kërkesave të Rusisë.

Megjithatë, Zelensky e ka paraqitur takimin si sukses, pasi ai përfundoi me mbështetjen publike të Trumpit për armëpushim në vijat e tanishme të frontit – që është qëndrim i kahershëm i Kievit.

Udhëheqësit evropianë pritet të takohen këtë javë me Zelenskyn si mysafir i tyre, fillimisht në një samit të BE-së dhe më pas në një takim të “koalicionit të vullnetit” të vendeve që po diskutojnë krijimin e një force sigurie për të garantuar një marrëveshje pas luftës në Ukrainë.

Rusia e kundërshton një forcë të tillë ndërkombëtare./Indeksonline/