FA ndëshkon Chelsean dhe West Hamin pas kaosit në fundin e ndeshjes
Shoqata e Futbollit në Angli (FA) ka ngritur akuza zyrtare ndaj Chelsea dhe West Ham United pas incidenteve të ndodhura në minutat e fundit të ndeshjes së Premier League të zhvilluar të shtunën, më 31 janar.
Në një deklaratë zyrtare, FA bëri të ditur se Chelsea akuzohet se dështoi të sigurojë sjellje të përshtatshme dhe jo provokuese të lojtarëve të saj rreth minutës së 95-të, ndërsa West Ham akuzohet për sjellje të papërshtatshme, provokuese dhe të dhunshme në të njëjtin moment. Të dy klubet kanë afat deri më 6 shkurt për të dorëzuar përgjigjet e tyre, shkruan Indeksonline
Kaosi shpërtheu pasi debutuesi i West Hamit, Adama Traore, rrëzoi në tokë Marc Cucurella. Pas këtij veprimi, sulmuesi i Chelseat, Joao Pedro, e shtyu Traoren, duke shkaktuar një përplasje masive mes lojtarëve të të dy skuadrave.
Pas rishikimit të pamjeve nga VAR-i, arbitri Anthony Taylor ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin e West Hamit, Jean-Clair Todibo, për sjellje të dhunshme, pasi ai u pa duke kapur Joao Pedron nga fyti. Qendërmbrojtësi 26-vjeçar rrezikon një pezullim prej tre ndeshjesh, që do ta lërë jashtë përballjeve ndaj Burnleyt, Manchester United dhe Burtonit./Indeksonline/

