20:10 / E Martë, 31 Korrik 2018 / indeksADMonline

Facebook bllokon 32 llogari, kishin ndikuar në zgjedhjet e SHBA-së

Gjiganti Facebook ka identifikuar një kampanjë politike të organizuar me llogari të rrejshme në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA.

Rrjeti më i madh social ka suspenduar 32 llogari sepse ”kanë qenë pjesëmarrëse në veprimtari të organizuara”, shkruan DailyMail.

Njëri nga përdoruesit kishte reklamuar një protestë të rrejshme në Washington, kundër krahut të djathtë, në gusht të vitit të kaluar.

Rreth 2600 njerëz kishin shprehur interesim për këtë ngjarje teksa 600 të tjerë e kishin konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e paraparë afër Shtëpisë së Bardhë.

”Kjo lloj sjellje nuk lejohet në Facebook sepse ne nuk duam që njerëz apo organizata të caktuara të krijojnë rrjete që t’i gënjejnë të tjerët se kush janë apo çfarë bëjnë”, thuhet në një deklarim nga zyrtarët e Facebook.

Më tej thuhet se ende nuk dihet se kush qëndron prapa kësaj fushate të koordinuar sepse ata i kanë mbajtur të fshehta identitetet e tyre në mënyrë të rreptë.